09 nëntor 2026 – Një javë pas grabitjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit, një 50-vjeçar nga Vlora është arrestuar i dyshuar si autor i ngjarjes. Grabitja ka ndodhur paraditen e dy nëntorit rreth orës 10:45.
Autori hyri në bankë i maskuar dhe me skafandër në kokë. Me një armë zjarri në dorë, ai arriti të grabiste para me vlerë deri në 60 mijë euro. Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj ka siguruar dhe videon e momentit të largimit me skuter të 50-vjeçarit nga vendngjarja.
“Vetëm tre minuta për të kryer grabitjen”
Për marrjen e parave, autorit i janë dashur vetëm 3 minuta. Fillimisht ka kërcënuar punonjësin e sigurisë e më pas është drejtuar tek arka, aty ku i ka drejtuar armën në kokë arkëtares. Gjatë kësaj kohe autori ka detyruar të gjitha punonjëset e bankës të qëndrojnë ulur në tokë, teksa arkëtarja ka bërë gati paratë dhe ia ka vendosur autorit në një çantë të zezë.
“50-vjeçari grabiti një tjetër bankë dy muaj më parë”
Policia e Tiranës ka konfirmuar se 50-vjeçari me dy emra, është autor dhe i grabitjes së një tjetër banke më dy qershor, që ndodhej rreth 300 metra larg kësaj të fundit.
“Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë”, deklaroi për mediat drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe i sekuestroi 8.200 euro, veshje të përdorura gjatë grabitjeve dhe dy telefona.
“Autori përdori skuter për tu arratisur”
Në të dy rastet, autori ka shkuar për të grabitur e për tu arratisur me një monopatinë elektrike. Pas marrjes së parave, ai është larguar drejt stadiumit “Selman Stërmasi” nga ku dhe ka humbur gjurmët. Pas informacioneve të marra, Policia e Tiranës lokalizoi 50-vjeçarin pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë. Ai kishte marrë një shtëpi me qira ku dhe po fshihej ndërsa kryesisht banonte në Vlorë.
Ministri Demo: Maska nuk të fsheh nga ligji
Pas arrestimit të 50-vjeçarit, ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm Ervin Demo, i cili ka përshëndetur operacionin e Policisë së Tiranës.
“Maska nuk të fsheh nga ligji! Policia e Shtetit ka identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar personin e dyshuar për grabitjen e bankës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, i cili kishte vepruar i maskuar dhe ishte larguar nga vendngjarja.
Siç e kemi theksuar edhe më parë, investimi në teknologji dhe forcimi i kapaciteteve hetimore të Policisë së Shtetit janë prioritete në luftën kundër krimit. Qytetarët duhet të ndihen të sigurt në punë, në rrugë dhe në lagjet e tyre. Forca e shtetit duhet të ndihet nga ata që shkelin ligjin. Teknologjia në shërbim të Policisë. Policia në shërbim të qytetarëve”, tha Demo.












Botërori 2026 