Gratë dhe vajzat mbeten më të pasigurta në hapësirën digjitale në Shqipëri. 72% e rasteve të dhunës online gjatë vitit 2025 u raportuan nga këto të fundit, ndërsa vetëm 14% u raportuan nga djemtë dhe burrat. Shifrat tregojnë një pabarazi të thellë gjinore. Por përse gratë dhe vajzat janë shënjestër të abuzimit online?

Sociologia Eris Dhamo thotë se “faktorët janë të shumtë. Një nga faktorët më të rëndësishëm lidhet me gjininë dhe seksin dhe shoqëria jonë vazhdon t’i konsiderojë këto dimensione ende të pakapërcyera të barazisë. Reflekton atë që kemi thënë: ne jemi ende shoqëri në tranzicion, e cila ose nuk ka ditur t’i aplikojë ose nuk ka zgjedhur saktë politikat që çojnë drejt barazisë gjinore.”

Rritja e numrit të rasteve tregon një ndërgjegjësim të grave dhe vajzave për të denoncuar, megjithatë sipas sociologëve nuk është faktor i vetëm.

“Në përgjithësi shoqëria jonë është bërë më e dhunshme. Elementët e dhunës janë të kudogjendur”, shprehet Dhamo.

Format e dhunës online janë nga më të ndryshmet, që nga ngacmimet, komentet fyese, kërcënimet, publikimi i paautorizuar i materialeve personale dhe shantazhi. Më të rënda pasojat janë për vajzat e mitura.

“Atëherë kujdes, sepse do të rrisim individë që në vend që të kërkojnë besim te shoqëria do të jenë pre”, shton ajo.

Në shumicën e rasteve, autorët janë burrat dhe djemtë: “Duhet të merremi me kërcënuesin dhe dhunuesin, në shumicën e rasteve i përket gjinisë mashkullore. E rëndësishme t’i edukojmë.”

Teksa platformat digjitale janë pjesë e pandarë e përditshmërisë, për ekspertët garantimi i sigurisë online për gratë dhe vajzat mbetet një sfidë që kërkon më shumë vëmendje.

Tv Klan

/tvklan.al