Nuk ka asnjë dyshim se Greqia tashmë është e vendosur të përmbushë detyrimet e marrëveshjes me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, për përmbushjen e objektivave të përcaktuara prej tyre për kapërcimin e krizës. Por për kryeministrin grek Antonis Samaras, nevojitet më tepër kohë për t’i dhënë më tepër frymëmarrje ekonomisë në mënyrë që ajo të hyjë në rrugën e rimëkëmbjes.
Këtë ai e pohoi gjatë një interviste për tabloidin gjerman Bild, ku theksoi gjithashtu se Greqia nuk kërkon para shtesë. Këtë ai ia parashtroi edhe kreut të Jean Claude Juncker, gjatë një takimi në Athinë. Siç ishte parashikuar, Samaras i propozoi atij 14 mld euro shkurtime, 2.5 mld më shumë se marrëveshja, vetëm për të përfituar 2 vite kohë shtesë. Megjithëse, takimi u pa me mjaft optimizëm, në përfundim të tij, Junker theksoi se nuk mund të ketë një tjetër program për Greqinë, por shtoi se gjithçka do të varet nga konkluzionet e Trojkës, që do të publikohen në Tetor.
Shpresat tashmë varen tek takimi që pritet të ketë kryeministri grek me presidentin francez Fransua Olond dhe kancelaren gjermane Angela Merkel në fundjavë. Mesa duket, për të garantuar Merkelin, Samaras ka deklaruar së fundi për gjermanen Süddeutsche Zeitung, se Greqia do t’i paguajë deri në qindarkën e fundit, paratë e dhëna në formë kredie. Për këtë ai u betua madje edhe personalisht./tvklan.al












Botërori 2026 