Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi që ish-presidenti i Kosovës të shpallet fajtor dhe të dënohet me 6 vjet burgim në rastin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Për Hajredin Kuçin janë kërkuar 9 muaj burgim e nga tre vjet për të tjerët.

Sipas Prokurorisë, akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur dhe akuzat që ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm, janë krime.

“Janë krime për një arsye të qartë; Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë pikërisht për shkak të kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, tha prokurorja e çështjes, Joshua Hafetz.

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt në deklaratën përfundimtare kryeprokurorja Kimberly West tha se në rastin e Thaçit ka 28 orë incizime dhe dokumente që dëshmojnë pengimin e drejtësisë.

Ajo tha se Thaçi formoi grupe të vogla me bashkë të akuzuarit të cilët kishin njohje me dëshmitarë të caktuar.

“Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë po aq e komplikuar. Nga një anë kemi çështjen për një person që po përballët me akuza të rënda që ka mundësi për t’u dënuar për një kohë të gjatë. Bashkë me punëtorë të tij u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orësh incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë. Të përballësh me akuza që përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe duke qenë në paraburgim pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit Hashim Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit, shokët e devotshëm, idealistet e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë dëshmia e të cilëve sipas tij ishte përfundimtare për përfundimin e kësaj çështje gjyqësore për krime lufte”, tha kryeprokurorja Kimberly West.

Në seancën e parë të shpalosjes së deklaratave përmbyllëse vetëm Thaçi ishte i pranishëm në gjykatë, ndërkaq të akuzuarit e tjerë kanë ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Seanca do të vazhdojë edhe me datë 11 dhe 14 të këtij muaji.

/tvklan.al