10 shtator 2026 – Në Gjykatë Speciale, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ka filluar dhënia e deklaratave përfundimtare.

Me deklaratën përfundimtare ka nisur fillimisht kryeprokurorja Kimberly West, e cila tha se në rastin e Thaçit, ka orë incizime dhe dokumente që dëshmojnë pengimin e drejtësisë.

Ajo pretendoi se Thaçi formoi grupe të vogla bashkë me të akuzuarit, të cilët kishin njohje me dëshmitarë të caktuar.

Sipas saj, synimi i tyre ishte që të bëheshin dëshmitë në mënyrë të atillë që të pajtoheshin me dëshirat e Thaçit, se si duhej të ishin dëshmitë e tyre.

“Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë po aq e komplikuar. Nga një anë kemi çështjen për një person që po përballët me akuza të rënda që ka mundësi për t’u dënuar për një kohë të gjatë. Bashkë me punëtorë të tij u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orësh incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”.

“Të përballesh me akuza që përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe duke qenë në paraburgim, pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit, Hashim Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit, shokët e devotshëm, idealistet e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë, dëshmia e të cilëve sipas tij ishte përfundimtare për përfundimin e kësaj çështje gjyqësore për krime lufte”, tha ajo.

Pas kryeprokurores, me fjalën përfundimtare vazhdoi prokurori Joshua Hafetz. Ai u shpreh se Hashim Thaçi në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë informacione konfidenciale dhe ka shkelur rregullat e kësaj gjykate.

Sipas tij, në këtë çështje gjyqësore janë rreth 28 orë incizime të Thaçit. Më tej, ai theksoi se gjatë katër muajve sa ishte në paraburgim, ish-presidentit i Kosovës kishte përdorur vizitat në qendrën e paraburgimit për të tentuar të pengonte procesin gjyqësor në rastin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Për të qenë edhe më konkret, janë pranuar në këtë çështje gjyqësore rreth 28 orë incizime të zotit Thaçi, 28 orë të shpërndara në 9 vizita të veçanta për një periudhë katër mujore, përfshirë pesë vizitat ku zoti Thaçi ka folur me bashkë të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore. Ajo që kishte rendësi për Thaçin dhe të bashkë të akuzuarit është që dëshmitarët që kishte zgjedhur Thaçi për ndërhyrje duhet të thonin dhe të bënin atë që donte Thaçi. Për katër muaj Hashim Thaçi përdori qendrën, vizitat në qendrën e paraburgimit, të përpiqej të pengonte procesin në këtë gjykim, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në këtë proces, ai në mënyrë të vazhdueshme nxori informacione konfidenciale dhe shkeli rregullat e gjykatës. Të bashkëakuzuarit… secili prej tyre shokë të vjetër të zotit Thaçi, iu bashkuan zotit Thaçi në këtë veprim. Secili prej të bashkëakuzuarve kishte një lloj njohje me dëshmitarin të cilin shënjestroi. Synimi i pengimit ishte i thjeshtë: t’u thuhej dëshmitarëve çfarë duhet të thonë kur të vijnë në gjykatë, në mënyrë që të thonë diçka në favor të zotit Thaçi”, tha ai.

Akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe pretenca e Prokurorisë Speciale

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, të pretenduara të kryera gjatë viteve 1998-1999 gjatë luftës për lirinë e Kosovës nga Serbia.

Ata i kanë mohuar këto pretendime dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat, që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u administruan me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë procesit hetimor. Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt, ndërsa vendimi final do të shpallet me 16 shtator.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

/tvklan.al