Arion Kurtaj, hakeri që sulmoi kompaninë Rockstar Games dhe publikoi pamje të videolojës së shumëpritur GTA 6 përpara se të dilte në treg, është liruar nga burgu me kusht, pasi ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit prej shtatë vitesh.

21-vjeçari u largua nga qelia pas përfundimit të procedurave gjyqësore, ndërsa gjykatësi i dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë: “Je një i ri shumë i talentuar. Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri”. Kurtaj, pjesëtar i grupit të hakerave Lapsus$, kishte pranuar fajësinë për sulmin ndaj Rockstar Games dhe disa kompanive të tjera, përfshirë Revolut dhe Uber, në kohën kur ishte vetëm 16 dhe 17 vjeç.

Sulmi më i bujshëm ishte ai ndaj Rockstar Games në vitin 2022, kur Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e brendshme të kompanisë dhe të vidhte 90 video, me afro 60 minuta pamje nga versioni ende i papërfunduar i GTA 6. Në atë kohë, loja mbahej nën masa të rrepta konfidencialiteti dhe kompania po përpiqej të ruante sekretet e saj deri në prezantimin zyrtar.

Pasi siguroi materialet, hakeri hyri edhe në sistemin e komunikimit të brendshëm Slack të kompanisë dhe kërcënoi se do të publikonte kodin burimor të lojës, nëse Rockstar nuk do ta kontaktonte përmes Telegramit brenda 24 orëve. Kompania refuzoi të bashkëpunonte dhe ai publikoi pamjet e kodin në një forum online, duke përdorur emrin TeaPotUberHacker.

Ajo që e bën edhe më të pazakontë këtë sulm është mënyra sesi Kurtaj arriti ta realizonte. Në atë periudhë, kompjuteri i tij ishte sekuestruar nga policia dhe ai ndodhej nën mbrojtje në një hotel në Bicester, për shkak të kërcënimeve nga hakerë rivalë. Megjithatë, ai përdori një pajisje Amazon Fire Stick të lidhur me televizorin e dhomës, si dhe një tastierë dhe maus Bluetooth, për të depërtuar në sistemet e Rockstar Games.

Kompania deklaroi se sulmi i kushtoi rreth 5 milionë dollarë për rikuperimin e dëmeve, si dhe mijëra orë punë nga stafi i saj. Përmes rrjedhjes së informacionit u zbulua gjithashtu për herë të parë se një prej personazheve në GTA 6 do të ishte një grua.

Kurtaj ishte dënuar fillimisht me qëndrim të pacaktuar në një institucion të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së tij me autizëm dhe vlerësimit të rrezikshmërisë së veprimeve të tij. Më vonë, ai u konsiderua i aftë për t’u gjykuar dhe në janar u transferua në një burg të zakonshëm. Mbrojtja argumentoi se izolimi gjatë pandemisë dhe përfshirja në grupin Lapsus$ i kishin dhënë një ndjenjë përkatësie dhe vetëvlerësimi që i kishte munguar më parë.

Përveç Rockstar, grupi kishte sulmuar edhe BT/EE, Revolut dhe Uber, ndërsa dëmi i përgjithshëm financiar nga aktivitetet e tij vlerësohet në rreth 10 milionë paund. Pas lirimit, Kurtaj do të jetë nën një urdhër pesëvjeçar për parandalimin e krimeve të rënda, i cili i kufizon aktivitetin në internet dhe i ndalon përdorimin e platformave Telegram dhe Discord.

Ai kishte pranuar gjithashtu fajësinë për sulme fizike ndaj punonjësve gjatë qëndrimit në paraburgim, ndërsa në burg ishte kapur edhe me një telefon celular, pasi kishte dërguar mesazhe provokuese ndaj policisë dhe kishte publikuar përditësime në Snapchat.