Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ndaj Gjyqësorit pak ditë më parë në Sarandë. Halimi tha se të quash një gjykatë të tërë “bandë kriminale”, është e papranueshme. Gjatë Konferencës Kombëtare të Shërbimit të Provës, Ministri i Drejtësisë deklaroi se sinjale të liderit të opozitës për gjykatat dekurajojnë gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm.

Eduard Halimi: “Të adresosh kritika nga mëngjesi deri në darkë, dhe të quhesh gjithë zyrtarët e një gjykate “banë kriminale e organizuar” nuk i bën mirë sistemit. Sepse e para duhet të kërkosh falje që vite e vite ke penguar reformimin e sistemit, duke urdhëruar mosmiratimin e ligjeve me 3/5. E dyta, dallimi mes të mirës dhe të keqes, mes të ndershmes dhe të korruptuarës, është shumë i rëndësishëm dhe është tërësisht e papranueshme që të kthesh një trup gjyqësor pa bërë asnjë dallim, në një “bandë” të mirëfilltë kriminale. Ky është padyshim sinjali më i keq që mund t’i çosh sistemit të drejtësisë sot në Shqipëri. Sinjali më i mirë që mund të lëshojë opozita për të përmirësuar gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë, është kontributi i saj në reformën për drejtësi.”

Në Konferencën e Shërbimit të Provës, të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth, përfaqësuesi i UNICEF-it Detlef Palm, përfaqësues të Bashkimit Europian si dhe organizmave të tjera të lidhura me këtë shërbim, të cilët e cilësuan ngritjen e tij si hap madhor në reformimin e sistemit të drejtësisë./tvklan.al