Një anije turistike luksoze që po lundronte në Oqeanin Atlantik është kthyer në qendër të një alarmi ndërkombëtar shëndetësor. Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë po monitorohen për simptoma të dyshuara me hantavirus në bordin e anijes turistike “MV Hondius”. Rasti ka vënë në lëvizje Organizatën Botërore të Shëndetësisë, autoritetet shëndetësore europiane dhe disa qeveri, ndërsa po zhvillohen operacione evakuimi dhe izolimi. Anija kishte nisur udhëtimin nga Amerika e Jugut dhe po lundron drejt Ishujve Kanarie.
Në një deklaratë publike, Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi se një rast është konfirmuar laboratorikisht me hantavirus, ndërsa pesë raste të tjera mbeten të dyshuara. Sipas OBSH-së, tre persona kanë ndërruar jetë dhe një pacient ndodhet në terapi intensive në Afrikën e Jugut.
Organizata deklaron se po kryhen analiza laboratorike shtesë, sekuencimi i virusit dhe hetime epidemiologjike për të kuptuar mënyrën e përhapjes së infeksionit në bord. Po ashtu, OBSH konfirmon se po koordinon evakuimin mjekësor të pasagjerëve dhe po mbështet autoritetet përgjegjëse në menaxhimin e situatës.
Ekspertët dyshojnë se bëhet fjalë për variantin “Andes” të hantavirusit, një nga format më të rralla të këtij virusi, i cili mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu. Kjo për shkak se udhëtimi i anijes kishte nisur nga Argjentina, zonë ku ky variant është identifikuar më parë. Profesori në Institutin e Gjenevës, Daniel Bausch, shpjegon se shumica e hantaviruseve transmetohen nga brejtësit tek njerëzit.
“Bëhet fjalë për infeksione relativisht të rralla. Shumica e hantaviruseve nuk transmetohen nga njeriu tek njeriu. Zakonisht ato transmetohen nga brejtësit tek njerëzit. Por ekziston një variant i quajtur virusi Andes, i identifikuar në Argjentinë dhe Kili, për të cilin ka prova se mund të transmetohet mes njerëzve. Prandaj fakti që kjo anije e nisi udhëtimin nga Argjentina është shumë domethënës.”
Hantavirusi transmetohet kryesisht përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet apo pështymën e brejtësve të infektuar. Infektimi ndodh zakonisht kur grimcat virale kalojnë në ajër dhe thithen nga njerëzit gjatë pastrimit të ambienteve ku kanë qëndruar minjtë apo brejtës të tjerë.
Sipas OBSH-së dhe Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, virusi mund të shkaktojë një formë të rëndë sëmundjeje respiratore, e cila ka shkallë të lartë vdekshmërie. Ekspertët po hetojnë tani nëse shpërthimi në bordin e anijes lidhet me prani brejtësish në anije apo me transmetim mes pasagjerëve.
“Prioriteti kryesor tani është të kuptohet nëse kemi të bëjmë me transmetim të drejtpërdrejtë nga personi tek personi. Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për variantin Andes, atëherë kjo do të shpjegonte situatën. Gjithashtu, duhet kontrolluar nëse në anije ka gjurmë të brejtësve.”
Pasagjerët po monitorohen vazhdimisht, ndërsa ekipet mjekësore po përpiqen të izolojnë çdo rast të dyshuar.
Në Cape Verde u zhvillua operacioni i parë i evakuimit emergjent. Dy pasagjerë u transportuan me avion special mjekësor drejt Holandës, ndërsa një tjetër pacient u dërgua në Afrikën e Jugut për trajtim intensiv.
Pamjet tregojnë avionin mjekësor të “Luxembourg Air Rescue”, ambulancat në aeroportin e Amsterdamit dhe transferimin e pacientëve drejt spitaleve universitare në Leiden dhe Amsterdam.
Në rrjetet sociale, disa pasagjerë kanë publikuar video nga brenda anijes. Një prej tyre është Jake Rosmarin, i cili foli për pasigurinë dhe frikën që po përjetojnë njerëzit në bord.
“Ajo që po ndodh këtu është shumë reale për të gjithë ne. Nuk jemi thjesht një histori lajmesh apo tituj mediash. Jemi njerëz me familje, me jetë dhe me njerëz që na presin në shtëpi. Pasiguria është pjesa më e vështirë. Gjithçka që duam tani është të ndihemi të sigurt dhe të kthehemi në shtëpi.”
Ekspertët thonë se simptomat e hantavirusit mund të ngjajnë fillimisht me gripin. Sëmundja zakonisht nis me temperaturë, lodhje, dhimbje trupi dhe koke. Por disa ditë më vonë gjendja mund të përkeqësohet me shpejtësi, duke shkaktuar kollë të fortë, vështirësi në frymëmarrje dhe mbushje të mushkërive me lëngje.
“Virusi sulmon kryesisht mushkëritë dhe zemrën. Pacientët mund të zhvillojnë shumë shpejt pneumoni dhe grumbullim lëngjesh në mushkëri. Në disa raste gjendja rëndohet brenda pak orësh”.
Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik antiviral kundër hantavirusit. Pacientët trajtohen me terapi mbështetëse dhe në rastet e rënda kërkohet trajtim në terapi intensive dhe mbështetje respiratore. Ekspertët paralajmërojnë se një situatë e tillë është shumë e vështirë të menaxhohet në bordin e një anijeje turistike.
“Nuk kemi një ilaç specifik që shkatërron virusin. Trajtimi konsiston në mbështetje intensive mjekësore për ta mbajtur pacientin në jetë derisa organizmi të reagojë. Kjo kërkon zakonisht terapi intensive dhe pajisje që nuk gjenden lehtësisht në një anije turistike”.
Në Madrid, autoritetet spanjolle kanë përgatitur spitalin për trajtimin e rasteve të mundshme. Ministrja spanjolle e Mbrojtjes deklaroi se çdo procedurë do të kryhet mbi bazë vullnetare dhe nën kontroll të plotë mjekësor.
Në të njëjtën kohë, Holanda dhe Britania kanë nisur monitorimin e qytetarëve të tyre që ndodheshin në bord. Autoritetet britanike kanë konfirmuar se disa persona janë vetëizoluar dhe po monitorohen nga ekipet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për qetësi, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një situatë të ngjashme me pandeminë COVID-19.
“Kjo nuk është SARS-CoV-2 dhe nuk është fillimi i një pandemie të re. Bëhet fjalë për një shpërthim të kufizuar në një anije. E kuptojmë shqetësimin e njerëzve, por situata është shumë ndryshe nga ajo e COVID-it”.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bëri thirrje shteteve të bashkëpunojnë për menaxhimin e situatës dhe trajtimin e pasagjerëve.
“Të gjithë kemi detyrimin moral të kujdesemi për njerëzit që ndodhen në anije. Bazuar në vlerësimet tona aktuale, rreziku për popullsinë në Ishujt Kanarie mbetet i ulët”.
Për momentin, OBSH dhe autoritetet europiane insistojnë se nuk ka arsye për panik. Megjithatë, operacionet e izolimit, monitorimit dhe gjurmimit të kontakteve do të vazhdojnë deri në përjashtimin e plotë të çdo rreziku të mundshëm. Sipas një raporti nga Institutet Kombëtare të Shëndetit, rreth 150,000 raste të HFRS raportohen në të gjithë botën çdo vit, kryesisht në Evropë dhe Azi. Më shumë se gjysma e rasteve zakonisht ndodhin në Kinë.
Të dhënat më të fundit nga SHBA-të tregojnë se nga viti 1993, kur filloi monitorimi i hantavirusit, deri në vitin 2023, në vend u konfirmuan 890 raste.
Megjithatë, virusi i Seulit, një nga llojet kryesore të hantavirusit të bartur nga minjtë e Norvegjisë (të njohur edhe si minj kafe), gjendet në të gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 