Në qytetin e Elbasanit u hap qendra për kujdesin ndaj fëmijëve autikë “Fluturo për jetën”, e cila është  e dyta e kësaj natyre që hapet në shkallë vendi pas qendrës “Fëmijët shqiptarë në Tiranë”.

Në inaugurimin e kësaj qendre në Elbasan ka qenë e pranishme dhe zonja Liri Berisha, ku u shpreh se ndërgjegjësimi i nisur dy vitet e fundit për këtë kategori ka filluar të japë frytet e veta. Sipas zonjës Berisha autizmi është një fenomen i ri me të cilin po përballen fëmijët e prindërit në mbarë botën si dhe në Shqipëri.

Ngritja e qendrës në Elbasan do tu vijë në ndihmë jo vetëm fëmijëve por edhe prindërve të tyre, pasi është e pajisur me të gjithë infrastrukturën dhe mjetet moderne si dhe me një staf të kualifikuar jashtë shtetit.

Liri Berisha: “Ndërgjegjësimi që është bërë këto dy vite për autizmin  po jep frytet e veta, ashtu sikurse në të gjithë botën ky është një fenomen i ri, por ngritja e dy qendrave brenda gati 2 vjetësh tregon që ka një interesim, tregon që ka një sensibilizim. Dhe kjo qendër do tu vijë në ndihmë jo vetëm fëmijëve që kanë këto probleme, por mbi të gjitha do tu vijnë në ndihmë prindërve të tyre për të mos humbur kohën  për të ardhur në Tiranë. Këtu ka staf të përgatitur  brenda vendit dhe jashtë Shqipërisë që do ti shërbejë fëmijëve në nevojë. Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” do ta mbështesë këtë qendër  përsa i përket anës profesionale. Projektet tona janë që këto qendra të  ngrihen në çdo qytet sepse në çdo qytet ka fëmijë me autizëm.”

Zonja Berisha gjatë fjalës së saj nënvizoi se projekte të tilla  do të shtrihen në mbarë vendin dhe si  një kontribut të madh në këtë drejtim po japin dhe media e biznesi.

Në qytetin e dytë më të madh pas Tiranës, në Elbasan deri më tani janë  regjistruar rreth 30 fëmijë autikë./tvklan.al

/tvklan.al