Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për të gjithë besimtarët myslimanë, lindja e diellit sot ka shënuar edhe fillimin e muajit të madhënueshëm të Ramazanit, ose siç njihet ndryshe muaji i sakrificës. Muaji i Ramazanit për myslimanët shihet si muaji i durimit, ku për 30 ditë nga lindja e diellit dhe deri në perëndim të tij, besimtarët nuk duhet të hanë, të pinë, apo të kenë marrëdhënie seksuale, pasi e gjithë kjo sakrificë do të shpërblehet në parajsë sipas Kuranit.

Ditët e Ramazanit njihen si ditë të faljes, të sakrificës dhe të bujarisë. Preokupimi kryesor i besimtarëve gjatë kësaj feste është shpirti dhe pastrimi i tij. Ndërkohë që në mbrëmje ka qenë presidenti i Republikës Alfred Moisiu ai që ka uruar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, me rastin e kësaj feste, në iftarin e shtruar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në ambientet e hotel Sheraton.

Në praninë edhe të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare, të trupit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, presidenti Moisiu në hyrje të mesazhit të tij i është referuar tragjedisë së rëndë të një dite më parë dhe ka shprehur ngushëllimin për familjet e gjimnazistëve viktima dhe shërimin e të lënduarve.

Alfred Moisiu: “Muaji i madhërueshëm i Ramazanit na ndihmon, që përmes lutjes dhe faljes, të marrim forcë për t’i përballuar ngjarje të tilla. Të pastojmë shpirtin dhe ndërgjegjen, të mendojmë për të mirën, për paqen, për drejtësinë. Qytetarët dhe shoqëria kanë nevojë, që duke lexuar librat e shenjtë dhe porositë e tyre, të pastrojnë ndërgjegjen të pastrojnë shpirtin për t’u ndarë nga çdo fenomen negativ, si dhe për t’u lutur dhe punuar për begatinë e vendit tonë. Bashkë me besimtarët myslimanë në vendin tonë festojnë të gjithë shqiptarët e besimeve të tjera, sepse vendi ynë, kombi ynë ka një vlerë të madhe, të çmuar dhe shumë fisnike, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare./tvklan.al

Gazetare: Mimoza Koçiu