10 tetor 2026, Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se një nga vendimet e para të parlamentit të ardhshëm do të jetë miratimi i një harte të re të qeverisjes vendore, me synimin, sipas tij, për t’ua rikthyer bashkitë komuniteteve dhe qytetarëve.

Ai kundërshtoi vendimin e Kuvendit për shkrirjen e 15 bashkive, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe të motivuar nga interesa elektorale. Akuzoi mazhorancën se ka shpërfillur peticionet e rreth 300 mijë qytetarëve që kërkojnë referendum për këtë çështje.

“Ju i dëgjuat deputetët e krimit që kanë vetëm interesa kriminale se si mashtronin se ne kemi vendosur një bashki për 13 mijë banorë. Unë tani do u tregoj një rajon, Sukthin, Manzën, Ishmin, në një rreze prej 50 e ca kilometrash nga qyteti i Durrësit, Rrushkulli, Katundi i Ri, të marra së bashku kanë 105 mijë banorë.

Pra, të marra së bashku këto kanë banorë për minimumi për shtatë bashki të standardit që pretendojnë mashtruesit. Por këto janë asgjësuar, ndërsa në hartën tonë ekzistonin të gjitha.

Ajo që mbetet e pashlyeshme nga memoria e qytetarëve shqiptarë ishte fakti se si këta deputetë peng të krimit, peng të vjedhjeve, pengje të vilave të tyre, bizneseve të tyre kriminale u rreshtuan njëri pas tjetrit, u poshtëruan dhe u shantazhuan dhe në fund votuan për Padrinon.”

Kreu i PD-së mbrojti propozimin e opozitës për një hartë të re territoriale me mbi 100 njësi vendore, duke argumentuar se ajo do t’u përgjigjej më mirë nevojave të qytetarëve, shpopullimit dhe zhvillimit të zonave të vendit.

U shpreh i bindur se opozita do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë vendim.

“PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, por paralajmëron të dashur qytetarë, se në narkoshtet rruga ligjore është falsitet. Se gjykatat janë notere të narkoqeverisë. Se referendumet, narkoqeveria nuk mund t’i lejojë kurrë. Megjithatë ne do përdorim çdo mjet ligjor kundër këtij akti. Deputetët e opozitës bënë një nga betejat më të gjata në historinë e parlamentit shqiptar, për një çështje e cila ia vlente plotësisht dhe ne në 14 orë debat argumentuam me fakte, dokumente se ajo që po ndodhte ishte një asgjësim elektoral që binte ndesh në mënyrë flagrante me Kushtetutën dhe interesat më të ngushta të qytetarëve të këtyre bashkive, të këtyre komuniteteve”, tha Berisha.


/tvklan.al