25 nëntor 2026– Reshje të dendura shiu dhe shtrëngata pritet të përfshijnë disa qarqe të vendit gjatë ditës së enjte, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dherash.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, qarqet më të prekura parashikohen të jenë Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra, ku prania e sasive të mëdha të reshjeve mund të shkaktojë probleme, veçanërisht në zonat urbane dhe ato pranë rrjedhave ujore.

Në zonat malore ekziston rreziku i vërshimeve të menjëhershme të përrenjve dhe lumenjve, ndërsa në terrenet e pjerrëta nuk përjashtohen rrëshqitjet e masiveve të dheut.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike pritet të reflektohet edhe në rritjen e prurjeve të lumenjve Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së sotme, era do të fryjë kryesisht e lehtë deri mesatare, kurse në zonat bregdetare pritet të fitojë intensitet më të lartë.

Njoftimi i Institutit të Gjeoshkencave:

Nesër (e enjte, dt. 26) do të ketë reshje me intensitet të lartë. Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër të gjithë qarqet mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Reshjet

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 25) priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta. Nesër (e enjte, dt. 26) priten reshje shumë intensive në qarkun Shkodër. Në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive dhe intensive në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet Elbasan dhe Fier priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në të gjithë qarqet priten shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark.

Temperatura

Nesër (e enjte, dt. 26) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

–në bregdet: 11 / 17 °C

–në vendet e ulëta: 12 / 18 °C

–në vendet malore: 3 / 13 °C

Era

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 25) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet e fortë. Nesër (e enjte, dt. 26) era pritet të fryjë mesatare, ndërsa në bregdet e fortë deri shumë e fortë.

/tvklan.al