Në një rrëfim ndryshe dhe tw mbushur plot emocion në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan, Gerta Zaimi hapi zemrën për një histori dashurie që ka kapërcyer moshën, distancat dhe kohën.

Një lidhje që nisi kur ajo ishte vetëm 23 vjeçe dhe ai një gazetar italian me përvojë. Jo vetëm dashuri, por një bashkëudhëtim që ka ndikuar rrënjësisht në formimin e saj intelektual dhe profesional.

“Jemi stimul për njëri-tjetrin”, u shpreh Zaimi me emocione, duke zbuluar se çdo hap i rëndësishëm në jetën e saj është ndërtuar mbi një bashkëbisedim të ndershëm dhe të thellë me partnerin.

Rudina Magjistari: Sa ka ndikuar profesioni i tij në zgjedhjet që ti ke bërë më pas?

Gerta Zaimi: Jo vetëm profesioni, por edhe ai vetë ka ndikuar te unë shumë. Unë isha një vajzë 23-vjeçare në momentin që u lidha me të, ne kemi një diferencë moshe, ai ishte 39-vjeçar, kështu që kemi 16 vite diferencë. Ka ndikuar në formimin tim intelektual, ka ndikuar në pikëpamjet e mia, ka ndikuar në rritjen time dhe ka ndikuar padyshim në dashurinë për profesionin. Ne kemi bashkëndarë çdo gjë në jetën tonë. Nuk kam bërë asnjë hap në jetën time intelektuale pa folur, pa diskutuar dhe pa marrë pjesë ai ashtu, ashtu sikurse ai. Kemi qenë një çift që edhe pse unë isha shumë e re, personaliteti im ishte shumë i fortë dhe vija nga një eksperiencë dhe formim tjetër dhe kemi qenë të dy stimul për njëri-tjetrin. Nëse unë i them këto fjalë për atë jam e bindur që edhe ai i thotë këto fjalë për mua./tvklan.al