Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat këtë të diel, më 22 nëntor, nga pika kufitare e Qafë Thanës.
Rama dhe Mickoski vlerësuan sistemin e ri të integruar të kontrollit kufitar me një ndalesë “One Stop Shop”. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se sistemi i ri u jep fund pritjeve të gjata në kufi me Maqedoninë e Veriut.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Rama gjithashtu u ndal te procesi i integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se Shqipëria do të jetë gjithmonë mbështetëse e këtij procesi dhe nuk do ta pengojë në asnjë rrethanë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
“Shqipëria nuk do të pengojë asnjëherë integrimin europian të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Rama, duke nënvizuar se qëndrimi i Tiranës ndaj këtij procesi është i qartë.
Kryeministri shqiptar foli gjithashtu për marrëdhënien e tij me Mickoskin, duke e cilësuar atë si një miqësi të mirë, të bazuar te komunikimi i drejtpërdrejtë dhe sinqeriteti mes tyre.
“Unë dhe Mickoski jemi miq të mirë, sepse, me sa kuptoj, jemi të dy njerëz që e themi atë që mendojmë”, u shpreh Rama.
Ndërkaq, kreu i qeverisë maqedonase Hristijan Mickoski deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike, të cilët bashkëpunojnë në shumë fusha dhe kanë qëllimin të përbashkët, integrimin në Bashkimin Europian.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike. Edhe projekti i Korridorit VIII është tepër i rëndësishëm për infrastrukturën në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.
Kjo infrastrukturë natyrisht ndikon në përafrimin e vendeve tona. Tirana dhe Shkupi e kanë të ardhmen të përbashkët dhe rruga finale e tyre është Brukseli”, theksoi Mickoski.
Pse nuk u luajt himni shqiptar në Pustec? Përgjigjet kryeministri i RMV-së
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristjian Mickoski u pyet gjatë këtij eventi për një tjetër çështje.
Një gazetar e pyeti atë se përse nuk u luajt himni shqiptar në Pustec përpara disa kohësh në një event.
Mickoski u përgjigj, se nëse shihet gjithë evenimenti, himni shqiptar është luajtur. Kreu i qeverisë maqedonase theksoi se banorët në Pustec janë maqedonas etnik, që respektojnë edhe vendin ku kanë lindur (Shqipërinë), por edhe shtetin nga kanë rrënjët e tyre (Maqedoninë e Veriut).
Gazetari: Kryeministër Mickoski, thatë se e keni mik të ngushtë Edi Ramën, por në Pustec para pak kohësh nuk u respektua himni shqiptar. Pati edhe një reagim nga ana e kryeministrit Rama, kur tha se është “parodi nacionaliste e folklorizëm ballkanik”. A është momenti për t’i kërkuar falje popullit shqiptar, pasi siç e tha edhe vetë kryeministri Rama, kryebashkiaku i Pustecit u kishte kërkuar organizatorëve që të luhej himni shqiptar në fillim, por kjo nuk ishte respektuar?
Kryeministri maqedonas, Hristian Mickoski: Në Pustec e në rrethinat e tij jeton një pakicë maqedonase, të cilët janë qytetarë të Shqipërisë. Ata janë njerëz të qetë, respektojnë shtetin ku kanë lindur, respektojnë shtetin ku kanë krijuar familje, por duan të kultivojnë edhe kulturën e tyre. Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, shtet që respekton të gjitha etnitë.
Sot po përkujtojmë edhe një festë shumë të rëndësishme, siç është 22 Nëntori. Në lidhje me ekzekutimin e himnit të Shqipërisë, siç duket nuk e keni ndjekur deri në fund evenimentin. Do ua dërgoj videon, ku tregohet sesi luhet himni shqiptar në atë event.
Çfarë është One Stop Shop?
“Një ndalesë e vetme” (One Stop Shop) është një sistem i integruar i kontrollit kufitar, përmes të cilit autoritetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kryejnë kontrollet përkatëse në një pikë të vetme, pa qenë nevoja që udhëtarët të ndalojnë veçmas në të dyja anët e kufirit.
Ky mekanizëm synon të shkurtojë kohën e pritjes, të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave, si dhe të rrisë bashkëpunimin mes autoriteteve kufitare të dy vendeve.
Sistemi synon të krijojë procedura më të shpejta dhe më efikase, duke shmangur kontrollet e përsëritura dhe radhët e gjata në pikat kufitare.
/tvklan.al












Botërori 2026 