Kryeministri Edi Rama është shprehur se qeveria do ta legalizojë shumë shpejt kultivimin e kanabisit për përdorim mjekësor. Përgjigja erdhi pas publikimit të rezultateve të Këshillimit Kombëtar, ku shumica e qytetarëve shprehën opinion pozitivisht për këtë çështje. Kjo do të hapë një front të ri pune dhe do të rrisë kapacitetet teknologjike të vendit tonë, tha Rama.
“Ne do të procedojmë siç shprehen qytetarët. Do të legalizojmë kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike përveç edhe një rritje në aspektin teknologjik. S’ka dilemë për këtë. Çfarë qytetarët kanë thënë ajo do të bëhet, nuk diskutohet”, tha Rama.

Rama: “Ballkani i Hapur” nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat tona
Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të enjte se “Ballkani i Hapur” mbron interesat e Shqipërisë. Përgjigja në lidhje me këtë çështje e kreut të qeverisë erdhi pas publikimit të rezultatit të Këshillimit Kombëtar për “Open Balkan”, ku 59% e qytetarëve ishin shprehur pozitivisht.
“59% është mbështetje shumë e fortë, pavarësisht se për të tjerat ka mbështetje edhe më të forta. Së dyti mos harroni që procesi ka ndodhur në atë interferencë që thashë dhe lufta që nisi Rusia ndaj Ukrainës ka pasur një impakt psikologjik edhe për shkak se u bë një zhurmë e madhe në drejtimin që edhe ju drejtuat pyetjen tuaj në lidhje me korrelacionin mes luftës dhe pozicionit të Serbisë. Unë nuk kam pritur luftën për të marrë vesh që çfarë është politika e jashtme e Serbisë, cilat janë marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe kështu me radhë. E dyta, nuk ka qenë vendimmarrja as e imja, as e kësaj qeverie që në Ballkan të gjendet edhe Serbia. Serbia është aty, është një fqinje duam apo s’duam ne. Dhe është një fqinje që do të jetë aty gjithmonë, siç do të jemi dhe ne këtu gjithmonë, kështu që nuk do të ikë diku tjetër. Kështu që marrë parasysh këto dy gjëra, marrëdhëniet e fqinjësisë me Serbinë janë të rëndësishme edhe për faktin e ndryshimit mes nesh dhe tyre në këtë aspekt që ju bëtë pyetjen. Nga ana tjetër Shqipëria “Ballkanin e Hapur” nuk e bën për Serbinë, por për veten e vet. “Ballkani i Hapur” nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat tona. Natyrisht Serbia mbron interesat e veta dhe gjithkush të tijat, nuk diskutohet. “Ballkani i Hapur” është një nismë interesash konverguese dhe jo diverguese. Çdo konvergjencë që realizojmë në marrëdhëniet e fqinjësisë i shpërbejnë paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik e social”, u shpreh Rama.

Integrimi, Rama: Do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse…
Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë konferencës për shtyp me gazetarët këtë të enjte se nëse nuk hapen negociatat dhe Shqipëria nuk ulet në tryezën e parë ndërqeveritare, atëherë do të kërkohet ndarje nga Maqedonia e veriut në procesin e anëtarësimit.
Kreu i qeverisë u shpreh se shumë njerëz besojnë që Shqipëria do ta zhvillojë Konferencën e Parë Ndërqeveritare këtë vit, megjithatë vetë nuk është optimist.
“Ne do të presim vendimmarrjen e Këshillit të Europës. Shumë besojnë që do të ndodhë ajo që duhet të kishte ndodhur prej disa vitesh tashmë dhe Bullgaria do të heqë veton. Nuk jam aq optimist sa janë shumë të tjerë, kjo nuk ka rëndësi. Kjo çështja e datave është çështja e tyre, jo e jona. Çështja jonë është që të jemi çdo ditë duke bërë gjënë që duhet bërë që ky vend të bëhet një vend me standardet e një vendi të BE. Pastaj datën dhe orën se kur hymë në X derë të X korridori e kanë ata. Këtë gjë e mësuam nga zhgënjimet se pse na gënjyen disa herë. Tani nuk jemi më të predispozuar që të gënjehemi. Në momentin që kjo nuk do të ndodhë, ne do të ndryshojmë kursin komplet. Kursi jonë do të jetë komplet i ri. Ne do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut absolutisht dhe do ta bëjmë në çdo instancë, do ta bëjmë me çdo qeveri të BE. Do ta bëjmë me Brukselin, do ta bëjmë me të gjithë. Nuk mund të presim që të zgjidhin një sherr mes tyre dy komshinj fqinj, me të cilët kemi marrëdhënie shumë të mira për tu ulur në tryezën e konferencës ndëqeveritare. Kursi i politikës sonë në këtë drejtim do të ndryshojë plotësisht”, tha Rama.

Gjyqtarët dhe prokurorët që shkelin ligjin do të pezullohen nga detyra
Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë që plotësuan formularin e Këshillimit Kombëtar mbështesin pezullimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk e kanë kaluar Vettingun dhe dyshohen se ka shkelur ligjin. Kryeministri Edi Rama tha se kjo është një masë për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet e mëtejshme. Rama tha se ky gjykatës apo prokuror pas hetimit, ose do të përjashtohet, ose do të ketë mundësinë të rikthehet në punë, në bazë të përfundimit që do të kenë dalë vetë organet e drejtësisë.
“Sot në legjislacionin ekzistues, prokurorët apo gjykatësit, pezullohen nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas një hetimi. E vetmja gjë që sipas nesh dhe publikut duhet të ndryshojë, është që me të njëjtin mekanizëm të pezullohen dhe pastaj të fillojë hetimi. Pra nëse ka dyshim të arsyeshëm për kryerjen e një akti në shkelje haptazi me ligjin nga prokurori apo gjykatësi, atëherë prokurori dhe gjykatësi pezullohet, pra merret në thonjëza, një masë sigurie për qytetarët që ky person mos vazhdojë të gabojë dhe bëhet hetimi. Sipas konkluzionit, personi ose përjashtohet ose vazhdon punën. Nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e qeverisë brenda, nuk ka asnjë ndryshim kushtetues, ka vetëm një ndryshim të kohës së ndërhyrjes, të së njëjtave institucioneve të pavarura të sistemit tonë të ri të drejtësisë”.
Pyetjes, “Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende Vettingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi”, iu përgjigjën pozitivisht 372.098 shqiptarë.

Rezultatet e Këshillimit Kombëtar, Rama: Jam i lehtësuar dhe i qartë për vendimmarrjet
Pasi u publikuan rezultatet e Këshillimit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndihet i lehtësuar dhe i qartë për vendimmarrjet që do të marrë qeveria. Ai u shpreh se zëri i qytetarëve është kumbues për drejtimet që duhet të ecë qeveria dhe tha se shumë shpejt ministrat e tij do të dalin me angazhime konkrete për çështjet që ishin të përfshira në procesin e Këshillimit Kombëtar.
“Pikërisht pse kemi pasur dilemë për kahjen e vendimmarrjes e kemi parë rrugën më të mirë të mundshme që t’u drejtohemi drejtpërdrejt qytetarëve pa asnjë dallim politik dhe të asnjë natyre tjetër. Tani personalisht jam i lehtësuar dhe i qartë për vendimmarrjet. Zëri i qytetarëve është kumbues në të gjitha këto drejtime që ne duam të ecim me vendimet që do të marrim. Do të bëjmë ekzaktësisht atë që qytetarët kërkojnë, disa gjëra më shpejt, disa gjëra pak më ngadalë. Proces është ky, por shumë shpejt, brenda pak ditësh do të shikoni që anëtarët e kabinetit, fusha e të cilëve ka lidhje me këto vendime do të dalin me angazhime konkrete për të realizuar planet përkatëse dhe për t’u kthyer njerëzve besimin që i kanë dhënë këtij procesi”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se ky proces që do të kthehet në traditë.
Këshillimi Kombëtar, Rama: Pjesëmarrja pozitive
Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një konferencë për shtyp për prezantimin e rezultateve të mbledhjes së opinioneve në procesin e Këshillimit Kombëtar.
Ai u shpreh se lufta në Ukrainë dhe vëmendja ndaj kësaj çështje ka interferuar procesin. Megjithatë, kreu i qeverisë u shpreh se numri i pjesëmarrësve në proces është përtej pritshmërive.
“Kemi arritur që ta përfundojmë Këshillimin Kombëtar me një rezultat pozitiv. Rezultati pozitiv është pjesëmarrja. Kemi edhe gjëra që duhen përmirësuar. Si herë e parë ishte natyrshëm me shumë të panjohura për ne vetë, por faktikisht ajo që është më e rëndësishmja tani është që qytetarëve që morën pjesë, pavarësisht opinioneve të tyre t’u kthejmë besimin, t’u shpërblejmë besimin. T’u japim mbrapsht atë që meritojnë, përkushtimin tonë, angazhimin tonë që zëri i tyre të dëgjohet me respekt dhe që opinionet e tyre të kthehen në plane konkrete zbatimi në atë drejtim që ata na kanë orientuar me pjesëmarrjen e tyre”, u shpreh kryeministri./tvklan.al












Botërori 2026 