Florian Riza, specialist futbolli, foli në emisionin “L’America”, për ndeshjen e Gjermanisë, që u mposht 2-1 nga Ekuadori.

Ai vlerësoi kombëtaren ekuadoriane, për të cilën tha se kur luan mirë në vazhdimësi, vjen dhe shpërblimi.

Riza nuk i kurseu kritikat ndaj Gjermanisë, për të cilën tha se ishte shumë e ngadaltë dhe e lexueshme.

“Në futboll nëse luan mirë në mënyrë të vazhdueshme, do shpërblehesh me fitore, kushdo që të jetë kundërshtari. Ekuadori nuk fitoi dot me Bregun e Fildishtë, u ndëshkua në fund. Luajti shkëlqyeshëm me Kurasaon dhe nuk fitoi. Çfarë ndodhi?! Fitoi me Gjermaninë.

Gjermania është problemi i vetes së saj. Shumë e ngadaltë, shumë e lexueshme, jo agresive. Tablo e njëjtë e ndeshjes Angli-Gana. Interesi për ndeshjen duhet të shfaqet. Kur kaloi në avantazh Ekuadori, u shfaq Gjermania. Pse duhet ta lejosh këtë, që të vijë një rezultat negativ që të të nxisë ty për të reaguar. Në futboll, ai që ka motiv më të madh, ai ka shanse më të mëdha për të fituar”, deklaroi Riza

/tvklan.al