Durrësi u shndërrua këtë fundjavë në kryeqendrën e artit dhe kulturës. Me pjesëmarrjen e gjerë të artistëve durrsakë dhe atyre nga mbarë vendi, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” u zhvillua një aktivitet i madh artistik kulturor, që mblodhi qindra qytetarë dhe dashamirës të artit.

Kjo mbrëmje u ideua dhe u realizua nga shkrimtari Ardi Omeri, me regji të Haxhi Ramës dhe u konceptua si “Nata e Falënderimeve”, në kuadër të aktiviteteve festive të fundvitit.

“Nata e Falenderimeve është… po e quaj një format që ne e kemi disa vite që po mundohemi ta mbajmë sepse është një gjë shumë e bukur. Falenderojmë arritjet më të mira të qytetit tonë brenda një viti”, u shpreh Haxhi Rama, regjisor.

Në skenë performuan emra të njohur të humorit dhe muzikës shqiptare.

“Vijmë këtu e për të dhënë një mesazh të bukur, për popullin e urtë, të mrekullueshëm, shumë punëtor të Durrësit”, tha Agron Hamo, humorisht.

“Jemi shumë të lumtur për faktin që jemi midis durrsakëve tuaj dhe tanë të dashur. Jemi në prag festash të fundvitit dhe jemi shumë të kënaqur, shumë të gëzuar që jemi këtu”, u shpreh Afrim Agalliu, humorist.

“Durrësi është një qytet i mrekullueshëm, që e do shumë humorin, shumë artin, e ne vijmë me qejf këtu”, tha Bashkim Alibali, këngëtar.

“Durrësi është i mrekullueshëm edhe shfaqja sonte do të jetë e mrekullueshme, se këtu kanë ardhur artista shumë të mirë, këngëtarë të mrekullueshëm, edhe të Durrësit edhe të qyteteve të tjera”, tha Edmond Halili, humorist.

Gjatë mbrëmjes u ndanë çmime dhe vlerësime për personalitete të spikatura të artit dhe jetës qytetare, mes tyre edhe titulli “Durrsaku i Vitit 2025”, si dhe “Mirënjohje Qytetare”, duke vënë në qendër njerëzit që kanë kontribuar për komunitetin.

Klan News

/tvklan.al