Emisioni “Stop” ndoqi historinë e Labinot Ramadanit, i cili u arrestua në Morinë dhe i kanë bllokuar makinën Lamborghini, pasi dyshohej se e kishte të vjedhur. Prokurorja Farie Vata është ajo që ka kërkuar që Labinor Ramandani të mbahej në burg dhe makina e tij të qëndronte e bllokuar, por arsyet për këtë vendim nuk i ka dhënë.

Sot është përpjekur që të marrë një reagim prej saj, por prokurorja ka thënë se nuk mund të fliste.

Prokurore Farie Vata: Urdhëro!

Gazetari: Përshëndetje zonja Vata si kaluat?

Prokurore Farie Vata: Mirë! Urdhëro! Kush jeni ju lutem?

Gazetari: Jam Genc Angjellari, gazetar i emision “Stop”,

Prokurore Farie Vata: Ju lutem! Nuk mund të flas! Nëse keni ndonjë gjë, mund të bëni kërkesë me shkrim, ta depozitoni në prokurori dhe do merrni përgjigje!

Gazetari: Zonjë ju keni mbajtur për 30 ditë të burgosur dikë të pafajshëm.

Pas ndërhyrjes së “Stop” për Labinot Ramadanit u zhvillua dhe seanca gjyqësore në 21 gusht, por prokurorja Vata mungoi pa asnjë njoftim zyrtar. Pak ditë më vonë në 24 gusht gjykata shpalli të pafajshëm Ramadanin, por makinën e tij me urdhër të prokurorit po e mbajnë ende të bllokuar edhe pse Interpol Roma ka dërguar shkresë së mjeti nuk është i vjedhur.

Qytetari nga Kosova pas daljes nga burgu ka premtuar se do e ndjekë çështjen e tij deri në Strasburg. “Unë nuk di çfarë të them, ju i keni parë letrat, i ka dhe avokati. Dihet e gjithë çështja, kjo makinë është e paguar me para të pastra, para me djersë dhe nuk është e vjedhur. Këto janë montazhe të këtyre për para, shkova në Kosovë, erdha në Shqipëri prapë dhe më pas më kanë kontrolluar. Ata më kanë kërkuar që të dalë nga radha dhe më kanë kërkuar dokumentet. Kjo ka qenë e përgatitur. Unë kam probleme shëndetësore, këtë vuajte që kam bërë nuk e kanë pësuar as lopët. Këtë çështje unë nuk e lë do e ndjekë deri në Strasburg”, thotë Ramadani./tvklan.al