Franca ka pezulluar përdorimin e granatave zhurmuese nga policia gjatë protestave të nxënësve, pasi një 15-vjeçar humbi dorën gjatë një incidenti në qytetin e Lens.
Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez tha se ka kërkuar pezullimin e përdorimit të këtyre mjeteve deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Për incidentin ka versione të ndryshme. Autoritetet thonë se 15-vjeçari e mori në dorë granatën pasi ajo ishte hedhur nga policia dhe më pas ajo shpërtheu. Nxënës të tjerë pretendojnë se granata e goditi drejtpërdrejt pasi një polic e qëlloi në drejtim të tij.Protestat e nxënësve kanë përfshirë qytete të ndryshme të Francës dhe janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Ministria e Brendshme tha se të martën u arrestuan 488 persona, ndërsa 43 pjesëtarë të forcave të sigurisë u plagosën.Të mërkurën, më shumë se 500 shkolla ishin pjesërisht ose plotësisht të mbyllura. Ministri i Arsimit Édouard Geffray tha se 24 shkolla ishin djegur ose dëmtuar rëndë dhe do të qëndrojnë të mbyllura për disa javë. Sipas tij, rreth 30 mijë nxënës janë prekur nga këto mbyllje.Protestat nisën fillimisht me nxënësit e shkollave të mesme, por më pas u përhapën edhe te studentët universitarë, prindërit dhe sindikatat. Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë të martën, duke kërkuar përmirësimin e kushteve në shkolla. Në disa qytete policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji.Autoriteti francez që heton sjelljen e policisë, IGPN, ka hapur 18 hetime për të përcaktuar nëse forcat e rendit kanë përdorur forcë në mënyrë proporcionale gjatë protestave.Rasti i 15-vjeçarit në Lens nuk është incidenti i vetëm që ka ngritur shqetësime. Javën e kaluar, një 14-vjeçar u godit në fytyrë nga një granatë me gaz lotsjellës në Saint-Ouen-l’Aumône. Avokati i tij tha se i riu humbi disa dhëmbë dhe pësoi frakturë të nofullës. Një polic është vënë nën akuzë për këtë incident.Ndërkohë, në Strasburg, një 16-vjeçar pësoi një dëmtim të rëndë në dorë, dyshohet se pasi po manipulonte një fishekzjarr të fuqishëm pranë një shkolle.Në qytetin Belfort është hapur gjithashtu një hetim për tentativë vrasjeje, pasi një 17-vjeçar që mori pjesë në protestë pretendoi se një polic i kishte mbajtur kokën nën ujë gjatë arrestimit. Edhe adoleshenti është akuzuar për sulm të rëndë ndaj policit.Ministri i Brendshëm Nunez mbrojti veprimet e policisë dhe tha se nuk është e drejtë të flitet për “represion policor”, pasi, sipas tij, policia ka ndërhyrë në përgjigje të dhunës dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave.Nga ana tjetër, sindikata e policisë ka kundërshtuar pezullimin e granatave zhurmuese, duke e cilësuar vendimin si të marrë nën ndikimin e emocioneve. Përfaqësuesi i saj, Jean-Paul Nascimento, paralajmëroi se heqja e këtyre mjeteve mund të çojë në përplasje edhe më të drejtpërdrejta mes policisë dhe protestuesve.Qeveria franceze thotë se përshkallëzimi i dhunës ka ndodhur me një shpejtësi të pazakontë. Ministri i Arsimit pretendoi se protestat janë përfshirë shumë shpejt nga grupe ultra të dhunshme, ndërsa opozita e majtë ka akuzuar qeverinë për përdorim të tepruar të forcës.Kryeministri Sébastien Lecornu pritet t’i drejtohet vendit për situatën. Qeveria ka propozuar që shkollat t’u kushtojnë gjysmën e ditës nxënësve për të shprehur shqetësimet e tyre. Një konsultim online i nisur nga autoritetet ka marrë rreth 30 mijë përgjigje brenda një dite.Megjithatë, sindikatat e nxënësve thonë se konsultimet nuk janë të mjaftueshme dhe kërkojnë masa konkrete. Ato kanë njoftuar një tjetër raund protestash të enjten në Paris dhe qytete të tjera të Francës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
