Në një kalim malor të largët në lindje të Turqisë, dhjetëra qytetarë iranianë po kalojnë kufirin drejt sigurisë, duke mbërritur pas një jave të mbushur me frikë dhe tension.

 Në pikën kufitare Kapikoy, në provincën Van, familjet dhe apo udhëtarët e vetëm dalin nga territori iranian pas ditësh të tëra në rrugë, ndërsa konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohet në rajon.

Me valixhe të vogla në duar dhe telefona që shpesh nuk funksionojnë për shkak të mungesës së kartave SIM lokale, shumë prej tyre përpiqen të gjejnë një menyrë për të kontakatuar  familjarët dhe për të vazhduar udhëtimin.

Mes tyre është 61-vjeçari Ebrahim Eidi, i cili jeton prej më shumë se tre dekadash në Holandë, por që viziton shpesh Iranin.

Ai thotë se këtë herë atmosifera në vend është ndryshe dhe se shumë njerëz po presin një moment ndryshimi.

“Populli po pret që diçka të ndodhë, një ndryshim. Shumë njerëz duan që qeveria të ndryshojë plotësisht dhe shumë prej tyre thonë se po presin për Reza Pahlavin.”

Sipas tij, frika nga autoritetet është një nga arsyet kryesore pse protestat nuk shpërthejnë pavarësisht pakënaqësisë së madhe.

Por ndërsa shumë qytetarë po largohen nga Irani, disa të tjerë po bëjnë të kundërtën. Leila, një 45-vjeçare që jeton në Stamboll, vendosi të rikthehet në Iran pasi humbi kontaktin me familjen në Shiraz.

“Si mund të ndihem e sigurt kur mendoj se familja ime mund të jetë në rrezik? Nuk mund t’i mbroj nga bombat. Por të paktën mund të jem me ta. Ndoshta vdesim bashkë, ose mund t’i ndihmoj sa të jemi gjallë.”

Ndër ata që u detyruan të largohen është edhe një 35 vjeçar, i cili ishte kthyer në Iran, pak para shpërthimit të luftës.

“Një ditë para se të fillonte lufta isha në Teheran. Pastaj filluan bombardimet dhe e kuptuam se lufta kishte nisur, kështu që erdhëm në Turqi.”

Për shumë udhëtarë, rruga drejt kufirit ka qenë e gjatë dhe rraskapitëse, pas anulimeve të fluturimeve.

“Udhëtimi ishte shumë i lodhshëm. Ishim rreth 24 orë në tren, pastaj katër orë me makinë dhe në fund erdhëm me taksi.”

Megjithatë, ai thotë se në qytetin Mashhad jeta vazhdonte pothuajse normalisht pavarësisht situatës.

Mes turmës së udhëtarëve ka edhe fëmijë që përjetojnë nga afër pasojat e konfliktit.

Ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten, pika kufitare mes Iranit dhe Turqisë po kthehet në një nga korridoret kryesore të largimit për qindra njerëz, që kërkojnë siguri.

Klan News

/tvklan.al