Vetëm pak kohë nga miratimi i strategjisë së re për sigurinë e vendeve të rajonit, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaron qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj problemeve që shfaqen në disa vende të rajonit.

Arben Imami: “Mjedisi i ri i sigurisë është një avantazh i madh për Shqipërinë. Shqipëria është e angazhuar për këtë, Shqipëria është për hartën politike që ka dalë dhe për mosndryshimin absolutisht të asnjëlloj kufiri për të dhënë kontributet më të mëdhaja për integrimin e rajonit përfshi të gjithë fqinjët.”

Sipas Ministrit Imami, bashkëpunimi rajonal do të ndikojë jo vetëm në rritjen e sigurisë, por do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit.

Për këto arsye, Imami i është referuar incidenteve në veri të Kosovës, si dhe çështjen e emrit të Maqedonisë.

Arben Imami: “Shqipëria është e interesuar për stabilitetin rajonal. Pikë kycë e stabilitetit rajonal është stabiliteti i Maqedonisë. Nuk mund të konstatojmë pa shqetësim se aty ku ka vakum siç është veriu i Mitrovicës dhe ku përpjekjet e Beogradit për të mbështetur strukturat paralele apo strukturat paramilitare shkojnë kundër përpjekjeve tona të përbashkëta për “Natorizimin” le ta quajmë të Kosovës. Pra janë përpjekje denatorizuese.”

Këto deklarata, Ministri i Mbrojtjes i dha gjatë një seminari mbi bashkëpunimin për sigurinë në NATO./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani