Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Importuesit e gazit propozojnë që shteti të aplikojë heqjen e taksës së tvsh-së mbi gazin, gjatë periudhës së dimrit, për të shmangur rritjen e mundshme të çmimit, si pasojë e krizës së naftës.

“Ka ngritje çmimi gazi, në 10-15 ditët e fundit ka gati 100 dollarë ngritje çmimi gazi. Nuk ka pasur ngritje çmimi për arsye sepse merret me çmim mesatar për bursë i gazit. Po tashi erdhi dimri, çmimi i dimrit është më i lartë, po do ketë nga çmimi i dimrit një rritje tjetër dhe unë jap idenë, mendimin tim, s’ngre ndonjë peshë në buxhetin e shtetit, hiqe dhe tvsh për 5 muaj, e ndikojnë në futjen e gazit më tepër në përdorim.”

Gazi i lëngshëm nuk ka njohur rritje çmimi, por sipas importuesve kriza e tregjeve ndërkombëtare është transmetuar edhe tek ky produkt, gjë që mund të kontribuojë në një rritje deri në 10% të çmimit të gazit gjatë muajve të dimrit.

Qeveria që prej korrikut të vitit të kaluar ka aplikuar heqjen e akcizës për gazin e lëngshëm masë që lehtëson barrën fiskale ndaj një produkti të tillë energjetik, që sidomos gjatë dimrit, njeh konsum të lartë. Autoritetet kontrolluese të cilësisë dhe kushteve të gazit, kohët e fundit kanë bllokuar shitjen e gazit të lëngshëm brenda qytetit për arsye sigurie./tvklan.al