Pas konfliktit midis Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe një qytetari, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë një vendim.
Në mënyrë të menjëhershme, u është hequr akreditimi i të gjithë vëzhguesve për KZAZ-në nr. 27 në Bashkinë Vorë. Përjashtim bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe mediat.
“Në mbështetje të neneve 6, 7, 19, pikat 1, shkronja “n”, dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Vendimit nr. 23 date 1.2.2023, “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, në zgjedhje”,
VENDOS:
- Revokimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve, për KZAZ-në nr. 27, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, të lëshuara për KZAZ-në, KQV-të dhe VNV-të, përveç vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave.
- Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”, shpreh njoftimi i KQZ-së.
Gazetarja Klesiana Omeri raporton në lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News se është verifikuar që disa prej vëzhguesve në këtë bashki kishin akreditime false, ose paraqiteshin si vëzhgues me badge-in e dikujt tjetër.
“Vëzhguesve të partive politike u revokohet pikërisht akreditimi për KZAZ në Bashkinë Vorë dhe për të gjitha qendrat e votimit dhe numërimit, pasi ka rezultuar se në disa prej tyre ka qenë i falsifikuar. Disa prej tyre kanë falsifikuar ose kanë përdorur të personave të tjerë, duke u prezantuar si vëzhgues me një akreditim që nuk ka qenë i tyre. Për këtë arsye, KQZ, ka bërë verifikimet përkatëse dhe rezulton se disa prej tyre i kanë pasur të falsifikuara ose të personave të tjerë dhe u është hequr të gjithëve përveç vëzhguesve ndërkombëtarë. Vetëm për Bashkinë e Vorës, nuk bëhet fjalë për bashkitë e tjera”, raportoi gazetarja.
Kujtojmë se Noka, i shoqëruar nga demokratja Albana Vokshi u shprehën me tone të ashpra, teksa sekretari i PD u shpreh ndaj votuesit “do të të zvarris”. Ndërkohë në video dëgjohet gjithashtu që qytetari i kërkon Nokës që të pranojë humbjen.
/tvklan.al