Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, forcon pozitat në garën për një mandat të ri në krye të futbollit botëror.

Të 54 federatat kombëtare afrikane kanë shprehur mbështetjen për të, gjatë një konference strategjike të Konfederatës Afrikane të Futbollit, të zhvilluar në Kepin e Gjelbër.

Vendimi u bë i ditur nga presidenti i CAF-it, i cili e lidhi këtë mbështetje me investimet dhe ndihmën e FIFA-s për zhvillimin e futbollit në kontinentin afrikan.

Gjatë takimit, Infantino theksoi se përmes programit FIFA Forward, organizata ka investuar një miliard dollarë në Afrikë gjatë dhjetë viteve të fundit, duke mbështetur 124 projekte të ndryshme.

Kreu i FIFA-s premtoi se financimi dhe bashkëpunimi me federatat afrikane do të vazhdojnë të rriten, me synimin për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e futbollit afrikan në arenën ndërkombëtare.

Infantino u ndal edhe te nevoja për dialog dhe transparencë, në një kohë kur disa federata evropiane dhe të Amerikës së Veriut kanë shprehur shqetësime për propozimet tregtare të FIFA-s.

Mbështetja e unifikuar afrikane përbën një avantazh të rëndësishëm për Infantinon përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të FIFA-s, megjithëse gara mbetet e hapur deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

Klan News

/tvklan.al