Kupa e Botës 2026 ka hyrë zyrtarisht në fazën e saj finale të përgatitjeve.
Në stadiumin legjendar Azteca të Meksikës, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, prezantoi trofeun dhe topin zyrtar të turneut, duke e cilësuar Botërorin si ngjarjen më të madhe sportive në planet.
Sipas tij, Kupa e Botës mbetet simboli që bashkon miliarda njerëz dhe që për katër vite ushqen ëndrrat e tifozëve në çdo cep të globit.
“Organizimi i një Kupe Bote nuk është i lehtë. Ky është eventi më i madh në historinë e njerëzimit. Rreth 6 miliardë njerëz do ta ndjekin nga shtëpitë e tyre. Futbolli sjell emocione unike, lot gëzimi dhe zhgënjimi. Falënderoj autoritetet e Meksikës, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për mikpritjen dhe bashkëpunimin”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Një nga temat më të diskutuara muajt e fundit ka qenë çmimi i biletave.
Kreu i FIFA-s u përpoq të qetësojë tifozët, duke theksuar se kërkesa për këtë Botëror ka qenë rekord dhe se interesimi i publikut ka tejkaluar pritshmëritë.
“Janë shitur më shumë se gjashtë milionë bileta. Ka ende bileta në dispozicion. Çmimi minimal prej 60 dollarësh është ndër më të ulëtit për një ngjarje sportive në SHBA. Rritja e çmimeve lidhet me sistemin e rishitjes së biletave dhe jo me FIFA-n. Të gjitha të ardhurat tona riinvestohen në zhvillimin e futbollit në mbarë botën”, shtoi Infantino.
Presidenti i FIFA-s ndau edhe mendimet e tij për skuadrat favorite të turneut, kushtet në të cilat do të zhvillohen ndeshjet dhe rolin e yjeve të futbollit në këtë Botëror.
“Nuk jam ekspert futbolli, por jam i bindur se do të jetë një turne i jashtëzakonshëm. Favoritet janë Spanja, Franca, Anglia dhe Portugalia. Argjentina, Brazili, Maroku, Senegali dhe Japonia kanë gjithashtu skuadra shumë të forta. Të shohësh Argjentinën në Kupën e Botës është gjithmonë spektakolare. Messi është një nga më të mëdhenjtë dhe prania e tij, së bashku me yjet e tjerë, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë futbollit”, përfundoi Infantino.
Nga stadiumi Azteca, numërimi mbrapsht drejt Kupës së Botës 2026 vazhdon. Një turne që pritet të thyejë rekorde dhe të mbledhë vëmendjen e miliarda tifozëve në të gjithë botën.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
