Pavarësisht krizës që ka përfshirë prej më shumë se një viti ekonominë botërore, Shqipëria vazhdon të njohë rritje pozitive edhe përgjatë këtij viti.

Ekonomia shqiptare gjatë 3 mujorit të parë të 2009-ës është rritur me 6%. Shifra sapo është bërë publike nga Instituti i Statistikave, pas analizës mbi ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto për muajt e parë të vitit.

 Me përjashtim të industrisë që ra me 13,2%, e ndikuar kryesisht nga problemet në industrinë përpunuese degët e tjera të ekonomisë vendase kanë njohur rritje gjatë 3 mujorit të parë, kryesuar nga post telekomunikacioni që u rrit me 22% kryesisht e ndikuar nga futja e operatorit të tretë celular e ndjekur  më pas nga shërbimet, ndërtimi, tregtia apo bujqësia.

Ledion Shahini: “Ekonomia shqiptare gjatë këtij 3 mujori krahasuar me 3 mujorin e parë të vitit 2008 ka patur një rritje prej 6%. Kontributet kryesore në rritje i kanë patur degët e post-komunikacionit, ndërtimit dhe shërbimeve respektivisht me 22, 8 % dhe 15.3. Ndërkohë që rënien më të madhe në këtë 3 mujor e ka patur dega e industrisë më -13.2%.”

Kjo është hera e tretë që INSTAT përllogarit prodhimin e brendshëm bruto në bazë tremujori, të zhveshur nga efektet sezonale. Megjithëse e pjesshme, rritja ekonomike prej 6% konsiderohet nga ekspertet si tepër pozitive dhe konfirmon parashikimet edhe të institucioneve ndërkombëtare apo Bankës së Shqipërisë për një rritje pozitive gjatë 2009, pavarësisht se një numër i madh i ekonomive botërore janë gjunjëzuar nga kriza duke rënë në recension./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro