I pajisur me një ‘mouse’ dhe një ekran kompjuteri, në vend të bisturisë dhe sallës së operacionit, kardiologu Benxhamin Meder vendos me kujdes elektrodat e stimuluesit kardiak në një zemër dixhitale që rreh.

E ardhmja e mjekësisë duket se po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek teknikat e teknologjisë moderne, të zhvilluara përmes Inteligjencës Artificiale.

Duke përdorur këto teknika dixhitale kardiologu kërkon të shohë nëse stimuluesi kardiak e mban zemrën e sëmurë gjallë, për të shmangur ndërhyrjen kirurgjikale.

Inteligjenca Artificiale ndihmon mjekët në mbledhjen e të dhënave të pacientit dhe saktësimin e diagnozës, për të mundësuar parashikimin me javë apo edhe muaj se cili pacient do të sëmuret. Këto teknika janë si një GPS për shëndetin, thonë mjekët.

Në një kohë kur mjekësia është kthyer në një garë të ashpër mes gjigantëve teknologjikë të mbledhjes së të dhënave, të shumtë janë ata, kryesisht në vendet si Kina, që kërkojnë asistencën e Inteligjencës Artificiale për të analizuar rastet e tyre.

Sipas një studimi, investimet për Inteligjencën Artificiale në mjekësi do të arrijnë deri në 6.7 miliardë dollarë në vitin 2021, nga 811 milionë dollarë që ishin në 2015.

Ajo që nisi si një evolucion, por merr përmasat e një revolucioni të vërtetë, thonë studiuesit e mjekësisë teknologjike.

Tv Klan