Sheshi Tahrir i Bagdadit. Vendi festoi më 30 shtator “Ditën e Sovranitetit Kombëtar”. Forcat e sigurisë së vendit parakaluan me autokolona në qendër të kryeqytetit, e bashkë me ta edhe qytetarë të shumtë.

Në Bagdad, lufta duket sot larg. Në sheshin Tahrir, trafiku rrjedh mes flamujve irakianë, ndërsa në rrugët e kryeqytetit njerëzit vazhdojnë jetën e përditshme.

Por pas kësaj qetësie qëndron një histori 23-vjeçare lufte, pushtimi, kryengritjeje dhe terrorizmi.

Me largimin e forcave të fundit amerikane dhe të koalicionit ndërkombëtar, Iraku ka hyrë në një fazë të re. Përgjegjësinë kryesore për sigurinë e vendit e merr tashmë vetë shteti irakian.

Për shumë irakianë, largimi i trupave të huaja shënon fundin e një pranie që nisi me pushtimin e vitit 2003. Por për të tjerë, ai ngre një pyetje tjetër: a është Iraku sot në gjendje të mbrojë vetë territorin dhe hapësirën e tij ajrore?

“Ajo që shpreson qytetari, ajo që duhej të kishte ndodhur përpara se amerikanët të largoheshin, është që ne të kishim kontrollin e hapësirës ajrore. Mangësia jonë është se nuk kemi radarë, nuk kemi zbulim dhe identifikim dhe nuk marrim informacion të mjaftueshëm e të saktë për të mbrojtur qiellin tonë”, tha akademiku irakian Anwar Al-Mousawi.

Në Erbil, në rajonin autonom kurd, disa banorë shprehën shqetësimin se largimi i trupave amerikane mund t’i krijojë hapësirë Shtetit Islamik për t’u rigrupuar.

Kryeministri Ali Faleh al-Zaidi e paraqiti përfundimin e misionit të koalicionit si fillimin e një faze të re për vendin.

“Ka nisur një fazë e re, e përcaktuar nga sovraniteti i Irakut, forca e institucioneve të tij, gatishmëria e forcave të tij dhe partneritetet e balancuara me miqtë tanë”, deklaroi kryeministri irakian.

Al-Zaidi theksoi se përfundimi i misionit ndërkombëtar nuk nënkupton fundin e luftës kundër terrorizmit, por kalimin e përgjegjësisë për sigurinë dhe stabilitetin te vetë Iraku. Në një ceremoni në Bagdad, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit, Haibat al-Halbousi, u bashkuan me komandantin e koalicionit dhe zyrtarë të lartë ushtarakë e të sigurisë për të shënuar përfundimin e misionit.

Forcat irakiane zhvilluan ndërkohë parada në Bagdad dhe në qytetin e shenjtë shiit të Nexhefit, ndërsa një kolonë e forcave të sigurisë parakaloi edhe në Kirkuk.

Teherani dhe aleatët e tij e përshëndetën tërheqjen si një fitore në fushatën e tyre për t’i dëbuar forcat amerikane nga Lindja e Mesme.

Pentagoni njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë përfunduar zyrtarisht operacionin “Inherent Resolve”. Uashingtoni do të vazhdojë të ofrojë trajnime të fokusuara dhe mbështetje në fushën e inteligjencës për partnerët irakianë.

Për të kuptuar se çfarë përfaqëson ky moment, duhet kthyer pas në kohë.

2003 – Pushtimi

Më 17 mars 2003, presidenti amerikan George W. Bush i dha Saddam Husseinit dhe dy djemve të tij 48 orë për t’u larguar nga Iraku.

“Saddam Hussein dhe djemtë e tij duhet të largohen nga Iraku brenda 48 orësh. Refuzimi i tyre do të sjellë një konflikt ushtarak”, pohoi Bush.

Ultimatumi nuk u pranua. Dy ditë më vonë, avionët amerikanë dhe aleatët nisën bombardimin e Bagdadit në operacionin “Shock and Awe”. Më 20 mars, forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara zbarkuan në Irak dhe brenda pak javësh, ushtria irakiane u mposht. Më 9 prill, trupat amerikane hynë në Bagdad.

Në sheshin Firdos u rrëzua statuja e Saddam Husseinit. Pamja u bë simbol i rënies së regjimit. Më 1 maj, Bush shpalli përfundimin e operacioneve kryesore luftarake.

“Operacionet kryesore luftarake në Irak kanë përfunduar. Në betejën e Irakut, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë kanë triumfuar”, u shpreh Bush.

Por lufta nuk kishte përfunduar.

Kryengritja kundër forcave amerikane u përhap dhe në konflikt u përfshinë luftëtarë besnikë të regjimit të rrëzuar, al-Qaeda dhe grupe të armatosura shiite.

Në vitin 2004, Falluja u kthye në një nga qendrat kryesore të luftimeve, ndërsa dhuna u përhap në pjesë të tjera të vendit.

Në vitin 2007, Bush dërgoi më shumë se 20 mijë trupa shtesë në Irak, në strategjinë e njohur si “surge”. Ndërkohë, përgjegjësia për sigurinë nisi gradualisht t’u kalonte forcave irakiane.

Në vitin 2009, trupat amerikane u tërhoqën nga qendrat urbane dhe në dhjetor 2011, Shtetet e Bashkuara përfunduan tërheqjen e forcave të tyre nga Iraku. Por largimi nuk zgjati shumë.

2014 – Shteti Islamik dhe rikthimi amerikan

Në vitin 2014, Shteti Islamik pushtoi territore të mëdha në Irak.

Falluja ra, më pas Mosuli dhe Tikriti. Në Mosul, lideri i organizatës, Abu Bakr al-Baghdadi, shpalli kalifatin.

Shteti Islamik mori kontrollin e një pjese të madhe të territorit të Irakut dhe Sirisë. Përballë këtij kërcënimi, Shtetet e Bashkuara u rikthyen në Irak, kësaj here për të ndihmuar forcat irakiane të mposhtnin organizatën.

Pas tre vitesh luftimesh, në fund të 2017-s, Iraku shpalli fitoren ndaj Shtetit Islamik. Organizata humbi territorin dhe qytetet që kontrollonte, por nuk u zhduk. Celulat e saj vazhduan të kryenin sulme sporadike.

Në vitin 2019, Abu Bakr al-Baghdadi u vra në një operacion amerikan në Siri. Një vit më vonë, tensionet mes Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe grupeve të armatosura irakiane u përshkallëzuan.

Në janar 2020, një sulm amerikan në Bagdad vrau gjeneralin iranian Qassem Soleimani dhe komandantin e milicive irakiane Abu Mahdi al-Muhandis. Vrasja rriti tensionet dhe shtoi presionin politik për largimin e trupave amerikane.

2024–2026: Rruga drejt tërheqjes

Në vitin 2024, Bagdadi dhe Uashingtoni ranë dakord për një plan që do t’i jepte fund misionit të koalicionit ndërkombëtar në Irak dhe do ta çonte marrëdhënien drejt një partneriteti dypalësh në fushën e sigurisë.

Marrëveshja u arrit gjatë administratës së Joe Biden, ndërsa zbatimin e saj e çoi përpara administrata e Donald Trumpit.

“Mendoj se nuk kemi më nevojë për ushtrinë atje. Marrëdhënia është shumë më e gjerë se kaq. Jemi atje për t’i ndihmuar irakianët. Jemi atje për t’i mbrojtur, nëse është e nevojshme. Por nuk mendojmë se kjo do të jetë e nevojshme”, deklaroi Trump.

Më shumë se 4,500 trupa amerikane humbën jetën në Irak, dyfishi i numrit të atyre që vdiqën në luftën paralele në Afganistan.

Projekti “Iraq Body Count” thotë se u vranë më shumë se 200,000 civilë irakianë.

Gjatë vitit 2025, bazat dhe objektet ushtarake iu dorëzuan gradualisht forcave irakiane.

Në janar 2026, kryeministri Mohammed Shia al-Sudani vizitoi bazën Ain al-Asad në Anbar, tashmë nën kontrollin irakian.

Më 30 shtator, forcat e fundit të koalicionit u larguan nga objektet e mbetura në vend. Për autoritetet irakiane, ky është momenti kur vendi merr përgjegjësinë e plotë për sigurinë e tij.

“Forcat irakiane të sigurisë janë të gatshme dhe këtë e kanë provuar që nga viti 2017. Forcat tona janë të afta të mbrojnë kufijtë, të gjurmojnë terrorizmin dhe të ndjekin e godasin bastionet terroriste edhe në zonat më të vështira”, pohoi gjeneral-major Tahseen Al-Khafaji – Ministria e Mbrojtjes së Irakut.

Por kontrolli i territorit është vetëm një pjesë e sfidës. Iraku duhet të sigurojë edhe hapësirën e tij ajrore, dhe pikërisht këtu mbeten disa nga mangësitë kryesore.

“Kemi nisur pajisjen dhe armatosjen e komandës së mbrojtjes ajrore me raketa moderne, pajisje dhe radarë. Kjo komandë nisi nga zero, ndërsa tani është shumë e avancuar dhe ka kapacitete të rëndësishme për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të Irakut”, deklaroi Al-Khafaji.

Por ekspertët vënë në dukje se ndërtimi i këtyre kapaciteteve nuk ka përfunduar.

Kësaj i shtohet edhe kërcënimi i mbetur nga Shteti Islamik dhe paqëndrueshmëria e sigurisë në rajon. Pikërisht për këtë arsye, largimi i forcave amerikane nuk e mbyll çështjen e sigurisë së Irakut. Ai ndryshon përgjegjësinë për të.

23 vjet më pas

Dhe historia kthehet sërish në sheshin Firdos. Në vitin 2003, këtu u rrëzua statuja e Saddam Husseinit, në një nga pamjet që simbolizuan pushtimin amerikan dhe fundin e regjimit të tij. Sot, 23 vjet më vonë, trupat amerikane janë larguar nga bazat e fundit dhe flamujt irakianë valëviten në të njëjtin qytet.

Këtu mbyllet një cikël 23-vjeçar. Por për Irakun nis një tjetër fazë: ajo në të cilën përgjegjësinë për sigurinë, kufijtë dhe hapësirën ajrore duhet ta mbajë vetë shteti.

Klan News

/tvklan.al