Bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga Pakistani i çuan amerikanët dhe iranianët më pranë një marrëveshjeje, por palët ndajnë qëndrime të ndryshme për afatet. Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, nuk e sheh shumë larg dakordësinë.

“Duhet pak kohë për të marrë përgjigje. Pra, kemi atë që mendoj se është një gjë mjaft e fortë në tryezë për sa i përket aftësisë së tyre për të hapur Ngushticën. Gjithashtu të hyjmë në një negociatë shumë të rëndësishme për çështjet bërthamore, shpresojmë se mund ta realizojmë.”, tha Rubio.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, e sheh ende të largët nënshkrimin e një marrëveshjeje: “Është e drejtë të thuhet se kemi bërë përparim në shumicën e çështjeve në diskutim, por askush nuk mund të pretendojë se një marrëveshje është afër nënshkrimit.”

Një marrëveshje e mundshme thuhet se përfshin një zgjatje të armëpushimit 60-ditor, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet ndërkombëtare dhe një plan për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor të kontestuar të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë morën pjesë në nderimet për ushtarët amerikanë të vrarë në operacionin “Epic Fury”, i nisur më 28 shkurt kundër Iranit. Trump tha për herë të parë se në këtë operacion u vranë 13 ushtarë amerikanë, ndërsa tha se Irani nuk do të lejohet kurrë të ketë armë bërthamore.

Shpresa për një marrëveshje bëri që çmimet e naftës së papërpunuar në bursa të bien për herë të parë nën 100 dollarë për fuçi që pas 10-ditëshit të parë të majit.

Tv Klan

/tvklan.al