Irani ka ekzekutuar tre protestues të dënuar për vrasjen e dy oficerëve të policisë gjatë protestave antiqeveritare që përfshinë vendin në janar, raporton Reuters, duke cituar agjencinë gjyqësore iraniane Mizan.

Sistemi gjyqësor iranian tha se të dënuarit u gjetën fajtor për vrasje dhe “një luftë kundër Zotit”, duke përfshirë veprime në favor të Izraelit dhe SHBA-ve.

Protestat antiqeveritare nisën fillimisht si reagim ndaj krizës ekonomike dhe më pas u zgjeruan në protesta kombëtare kundër qeverisë iraniane.

Sipas agjencisë amerikane për të drejtat e njeriut HRANA, gjatë këtyre protestave humbën jetën rreth 6,488 protestues. Ky numër nuk përfshin 236 fëmijë, 76 civilë të tjerë që nuk protestuan dhe 207 anëtarë të forcave ushtarake dhe qeveritare që gjithashtu u vranë.

HRANA raporton se po shqyrton ende rreth 11,744 raste pas shtypjes brutale nga forcat e sigurisë iraniane.

/tvklan.al