Forcat e armatosura iraniane ndërmorën, midis të enjtes dhe të premtes, sulme ndaj infrastrukturës ushtarake amerikane në shtetet e Gjirit, pas sulmeve të SHBA-së në provincat bregdetare jugore dhe lindore të Iranit, duke njollosur më tej një armëpushim trejavor.

Media iraniane raportoi më vonë shpërthime të shumta në mbarë Iranin jugor, përfshirë Bushehrin, ku ndodhet një prej centraleve bërthamore të vendit.

Një zyrtar amerikan tha se në orët e fundit nuk ka pasur sulme të reja.

Përplasjet ushtarake vijnë ndërsa Irani po bën nderimet e fundit për udhëheqësin suprem të vrarë, Ajatollah Ali Khamenei.

Ai u vra gjatë një sulmi ajror në ditën e parë të luftës, më 28 shkurt, si pjesë e bombardimeve amerikano-izraelite kundër Iranit.

Procesioni funeral i Khameneit arriti në faltoren më të shenjtë të vendit, në Mashhad, ku një turmë e madhe mbushte oborrin dhe mbante pankarta që denonconin presidentin e SHBA-së me mbishkrimin: “Do ta vrasim Trumpin”.

Sulmet ndaj anijeve të transportit detar të Katarit dhe Arabisë Saudite në fillim të kësaj jave e përmbysën armëpushimin, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump e konsideroi armëpushimin “të mbaruar”.

Uashingtoni duket ende i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje diplomatike me Iranin dhe “bisedimet teknike vazhdojnë”, sipas një zyrtari të dytë amerikan.

Pamundësia e Trumpit për t’i dhënë fund luftës e ka frustruar presidentin, ndërsa Partia Republikane e tij do të testohet në zgjedhjet e mesit të mandatit më vonë këtë vit. Lufta ka ndikuar në çmimet e karburanteve dhe ka shtuar pakënaqësinë e votuesve.

Marina e Gardës Revolucionare të Iranit tha se sulmet dhe ndërhyrja e SHBA-së në ridrejtimin e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit po pengojnë rihapjen e rrugës ujore.

Garda tha se numri i anijeve që kalojnë nëpër ngushticë nën mbikëqyrjen iraniane është shtuar me rreth 50% në krahasim me nivelin e paraluftës gjatë dy javëve të fundit, duke shtuar se leje po u jepet vetëm anijeve që përdornin rrugët e përcaktuara nga Teherani.

Çdo ndërhyrje e mëtejshme e SHBA-së do të shkaktojë një “përgjigje shkatërruese”, thanë Garda.

Klan News

/tvklan.al