Ata janë ende aty. Është një fakt i thjeshtë që nuk mund të shmanget. Kudo ku ecin njerëzit, kudo ku ngasin makinën, dhe sa herë që ndezin televizorin, fytyrat e udhëheqësve të vrarë dhe të liderëve të rinj dominojnë hapësirën publike.

Protestat kanë nisur dhe janë zhdukur. Një luftë. Pastaj një armëpushim. Por BBC në një artikull të fundit shkruan se regjimi i Republikës Islamike ka mbijetuar.

Në fakt, sipas iranianëve me të cilët ka folur BBC brenda vendit, në vend që të jetë dobësuar, regjimi është bërë më i thellë dhe më i konsoliduar. Dhe ndodhet në një gjendje hakmarrjeje.

Sana dhe Diako, (nuk janë emrat e tyre të vërtetë) janë një çift i ri që jeton në Teheran. Ata janë të klasës së mesme, të arsimuar, njerëz që dëshirojnë fundin e sundimit fetar të linjës së ashpër.

Për të treguar historinë e tyre, duhet të hiqen shumë detaje që mund të zbulojnë identitetin e tyre, pasi regjimi mund t’i përdorë këto të dhëna për të gjurmuar ata që flasin lirshëm me mediat e huaja.

Gazetari i BBC-së në Iran është takuar me çiftin pranë një parku, ku po shëtisnin me fëmijët e tyre, duke shfrytëzuar periudhën e armëpushimit.

Diako dëshiron të besojë se jeta do të përmirësohet. “Gjërat do të ndryshojnë,” thotë ai. “Tashmë kanë ndryshuar.”

Sana qesh dhe e kundërshton: “Kanë ndryshuar? Vendin e kanë marrë Gardat Revolucionare. Vendi është në kaos.”

Sana thotë se ndjenjat e saj kanë ndryshuar që pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit. Fillimisht nuk dëshironte luftën, por gjatë saj, sa herë vriteshin figura kyçe, ajo ndiente gëzim. Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo kuptoi se humbja e liderëve të lartë nuk solli ndryshimin e shpresuar.

“Shumë prej tyre ende janë aty. Gjërat vetëm u përkeqësuan. Dhe ne mbetëm me Republikën Islamike. Jam e zhgënjyer që ata e fituan këtë luftë.”

Është e vështirë të përcaktohet niveli i mbështetjes për regjimin në shoqërinë iraniane. Mbështetësit e tij organizojnë rregullisht tubime publike, ndërsa protestat e opozitës janë të ndaluara.

Aktivistë, avokatë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë të pavarur, raportojnë për një klimë frike dhe pritshmërie të rëndë: pas përfundimit të luftës, shteti mund të rrisë represionin e brendshëm.

Sipas organizatës Human Rights Activists News Agency (HRANA), më shumë se 53 mijë persona janë arrestuar gjatë protestave kundër regjimit dhe para fillimit të luftës. Që nga nisja e konfliktit, mijëra të tjerë mendohet se janë ndaluar.

Gjithashtu është shënuar një numër rekord ekzekutimesh: 21 persona janë varur gjatë luftës, shifra më e lartë në më shumë se 30 vite për një periudhë kaq të shkurtër.

Ndërsa Susan, një avokate që punon me të ndaluarit, thotë se kushtet në burgje janë përkeqësuar ndjeshëm. Sipas saj, ndërsa më parë trajtimi i ashpër rezervohej për liderët e protestave, gjatë luftës ai është përhapur shumë më gjerë.

Historia e saj personale tregon edhe përçarjet brenda familjeve, ku disa anëtarë mbështesin regjimin ndërsa të tjerë e kundërshtojnë.

Ajo shpreh frikën se pas përfundimit të luftës, regjimi mund të hakmerret ndaj të burgosurve. “Mendoj se po jetojmë me kohë të huazuar.”

Aktivistët raportojnë gjithashtu ekzekutime të personave të akuzuar për lidhje me shërbimin izraelit Mossad. Gazetarët e pavarur janë gjithashtu nën presion, me arrestime të shumta për shkak të dyshimeve se bashkëpunojnë me media të huaja.

Një gazetar, i quajtur Armin, thotë se thjesht raportimi i fakteve të luftës mund të çojë në akuza për spiunazh, dënimi i të cilit mund të jetë me vdekje.

Ai thotë se frika tani nuk ka të bëjë më me pasojat profesionale, por me mbijetesën personale dhe të familjes.

“Vazhdoj të mendoj për të ardhmen dhe kjo më shkakton ankth të madh,” thotë ai. Si rezultat, opozita pothuajse është zhdukur nga rrugët. Regjimi kontrollon jetën dhe vdekjen.

/tvklan.al