Pakistani ka marrë lehtësim më të madh për qasje në Ngushticën e Hormuzit, sipas zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm palestinez, Ishaq Dar.

Dar njoftoi se Irani “ka rënë dakord të lejojë 20 anije të tjera nën flamurin pakistanez të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”. Ai shtoi se kjo do të thotë që “dy anije do të kalojnë ngushticën çdo ditë”.

Deri më tani, Irani nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për këtë marrëveshje, raporton BBC.

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ka qenë në praktikë e mbyllur nga Irani që nga fillimi i konfliktit të fundit.

Rreth 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror (LNG) të botës zakonisht kalon përmes kësaj ngushtice, por trafiku ditor ka rënë me rreth 95% gjatë këtij konflikti.

Zëvendëskryeministri Dar e përshkroi marrëveshjen me Iranin si një “parashikim të paqes”, i cili do të ndihmojë në sjelljen e stabilitetit në rajon.

Sakaq, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka ofruar vendin e tij si vend për bisedime të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Kujtojmë se Turqia dhe Pakistani po përpiqen të ndërmjetësojnë për të arritur një armëpushim.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, njoftoi të premten, më 27 mars, se mesazhet dhe informacionet e negociatave po transmetohen edhe tek Irani, në koordinim me SHBA-të dhe vendet e tjera, si Pakistani. Ai shtoi se negociatat kanë arritur një fazë ku është e rëndësishme të mos ndërpritet dialogu dhe të ruhet besimi mes palëve.

“Tani, negociatat kanë arritur në një fazë të caktuar. Domethënë, të paktën negociatat kanë filluar, po përçohet një mesazh përmes Pakistanit. Amerikanët po e koordinojnë këtë me ne dhe ne po flasim me ta. Po ashtu, po i informojmë iranianët për këtë. Sot, patëm takime të gjata me të dyja. Po përpiqemi ta kuptojmë më lehtë se ku qëndrojnë palët, çfarë presin dhe po përpiqemi të japim mesazhe të përshtatshme. Megjithatë, pa hyrë në detaje, mund të them se pozicionet aktuale të negociatave janë në mënyrë të pashmangshme të ndryshme nga pozicionet e negociatave para luftës të të dyja palëve. Sidomos pozicioni i iranianëve do të jetë shumë i ndryshëm; sepse para luftës, Irani po hynte në negociata pikërisht për të parandaluar që kjo situatë të ndodhte. Tani, lufta ka arritur në një pikë të caktuar dhe ka pasur një sasi të caktuar shkatërrimi në Iran. Tani, ajo që kërkohet nga negociatat sigurisht që do të jetë e ndryshme. Kjo situatë e bën punën e ndërmjetësve pak më të vështirë. Por shpresojmë që do të vazhdojmë të punojmë pa humbur shpresën.”, tha ministri i jashtëm turk.

/tvklan.al