Emigracioni i paligjshëm, kthehet sërish në mollën e sherrit për politikën italiane. Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveria Berlusconi, lëshoi një dekret me masa më të rrepta për të luftuar dhunën seksuale dhe emigracionin e pa ligjshëm. Vendimi vjen si kundër përgjigje e ndaj një numri rastesh të dhunimit për të cilat akuzohen të huajit kryesisht rumun.

Dekreti që duhet të miratohet nga parlamenti i shton dënimet me burg për emigrantët, u lejon qytetarëve të organizojnë patrullime në qytet dhe u jep autoriteteve lokale pushtet më të madh për të ndaluar dhe dëbuar emigrantët.

Opozita i ka kritikuar këto masa duke thënë se është e gabuar që emigracioni të barazohet me krimin. Dekreti ka shtuar, tensionet me Rumaninë, ndërsa në Itali numri i emigrantëve rumun kap shifra të larta. Ministri i Jashtëm Cristian Diaconescu, tha se Rumania dëshiron që ta tejkalojë këtë situatë të pa zakontë përmes dialogut dhe bashkëpunimit me partnerët italian./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle

Montazh: Vilma Halilaj