Mbyllen lokalet e restorantet nga ora 18:00-06:00

Nga e hëna, Italia do të njohë një tjetër ashpërsim masash që synojnë frenimin e ritmeve të larta të përhapjes së koronavirusit. Këtë të diel, kryeministri italian Giuseppe Conte shpalosi planin e ri të masave pasi 24-orëshin e fundit, infektimet thyen një tjetër rekord duke arritur një nivel tepër të lartë prej mbi 19 600 rastesh të reja, që nuk ishte arritur asnjëherë që prej nisjes së pandemisë.

Masat e reja parashikojnë mbylljen e bareve, restoranteve, kafeneve në orën 6:00 të pasdites deri në 6:00 të mëngjesit. Në dallim nga urdhri i mëparshëm, ato do të qëndrojnë të hapura në të njëjtin orar edhe në fundjavë.

Nuk do të lejohen kinematë, teatrot, kazinotë, pishinat, palestrat, sallat e përkujdesjes trupore, panaireve, etj. Nuk do të lejohen ceremonitë festive pas martesave por edhe grumbullimet në funerale. Leksionet në universitete mund të zhvillohen gradualisht deri në 100% online. Paketa më e fundit e masave do të qëndrojë në fuqi të paktën deri më 24 Nëntor.

“Masat që po marrim tani synojnë të shmangin mbylljen e çdo gjëje për Krishtlindje. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të festojmë me gëzim të madh festat e fundvitit”, tha Conte.

Ashpërsimi i masave është pritur me protesta në qytetet kryesore italiane. Roma përjetoi natë trazirash mes të shtunës dhe të dielës kur hyri në fuqi shtetrrethimi.

Ishin mbështetësit e ekstremit të djathtë ata që u përleshën rrugëve me policinë në natën e parë të zbatimit të kësaj mase në kryeqytetin italian me afat nga mesnata deri në 5:00 të mëngjesit. Protestat e nisura prej disa ditësh vazhduan edhe në Napoli.

Tv Klan