Italia po përgatitet për një mision të mundshëm detar për të mbrojtur anijet e saj tregtare në ngushticën Bab el-Mandeb.

Gjatë një deklarate për mediat, Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto deklaroi se duhet të jenë të përgatitur për çdo gjë të nevojshme, që të garantohet tranziti i sigurt i anijeve italiane.

Sipas tij, rreziqet detare në rritje mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe konsumatorët.

“Kam vendosur të aktivizoj marinën italiane për të përgatitur atë që është e nevojshme për të garantuar tranzitin e sigurt të anijeve italiane. Nuk mund të lejojmë që vonesat burokratike në vendimmarrje të përkeqësojnë një situatë tashmë komplekse, me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë tonë dhe jetën e qytetarëve tanë. Për një komb të madh detar si Italia, monitorimi dhe mbrojtja e deteve, si mbi ashtu edhe nën sipërfaqe, do të thotë ruajtja e sigurisë, prosperitetit dhe të ardhmes së tij”, tha ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto.

Ai nuk sqaroi se cilat masa po merreshin në konsideratë ose cilat mjete detare mund të dërgoheshin në zonë.

Frika për transportin detar në Detin e Kuq është rritur këtë muaj pasi Huthit e lidhur me Iranin morën kontrollin e pjesëve të bregdetit të Jemenit që mbikëqyrin Bab el-Mandeb, duke kërcënuar eksportet saudite të naftës të devijuara nga Ngushtica e Hormuzit.

Klan News

/tvklan.al