Një investigim i gazetës izraelite Haaretz hedh dritë mbi marrëdhëniet mes disa milicive palestineze të armatosura në Gaza, ushtrisë izraelite (IDF) dhe shërbimit të inteligjencës Shin Bet.
Investigimi, i realizuar nga Yarden Michaeli, Yaniv Kubovich dhe Jack Khoury, bazohet në imazhe satelitore, video të publikuara në rrjetet sociale, biseda me banorë të Gazës, të dhëna të mbledhura nga OKB-ja dhe dëshmi të ushtarëve e komandantëve izraelitë. Sipas Haaretz, këto të dhëna tregojnë një nivel të konsiderueshëm koordinimi mes milicive dhe forcave izraelite.
Sipas investigimit, disa prej këtyre grupeve veprojnë pranë bazave të IDF-së dhe kanë marrë mbështetje gjatë operacioneve kundër Hamasit. Haaretz thotë se ka identifikuar pesë komplekse ku veprojnë milici, ndërsa një i gjashtë paraqet shenja të ngjashme aktiviteti në imazhet satelitore.
Bazat ndodhen në distanca të afërta me pozicionet izraelite.

Gazeta raporton gjithashtu se disa prej milicive nuk janë përdorur vetëm në përballjen me Hamasin, por edhe në operacione që kanë prekur banorët palestinezë. Sipas të dhënave të cituara nga OKB-ja, disa persona të armatosur kanë koordinuar me forcat izraelite për të larguar banorë nga shtëpitë e tyre.
Një oficer i Forcave Ajrore izraelite i tha Haaretz se kishte parë anëtarë të një milicie duke hyrë në ndërtesa, duke grabitur sende dhe duke i vënë zjarrin një banese.

Një tjetër komandant milicie, sipas investigimit, ka pranuar bashkëpunimin me palën izraelite për largimin e palestinezëve nga zona të caktuara. Në të njëjtën periudhë, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi se kishte marrë informacione për milici që urdhëronin banorët e Gazës të largoheshin nga zonat ku jetonin.
Investigimi citon edhe shqetësimet e disa ushtarëve izraelitë lidhur me këtë politikë. Një oficer i Forcave Ajrore i tha Haaretz se, sipas tij, shteti izraelit, IDF dhe Shin Bet po dërgonin milici të armatosura në operacione dhe se ushtarët izraelitë duhej t’i mbronin ato gjatë veprimeve të tyre.

Megjithatë, komandantë të lartë të IDF-së të cituar nga Haaretz e përshkruajnë përdorimin e këtyre milicive si një zgjidhje të përkohshme dhe lokale. Sipas tyre, grupet nuk kanë kapacitetin për të marrë kontrollin e Gazës nga Hamasi pa mbështetjen e ushtrisë izraelite.
Haaretz thotë se i ka drejtuar pyetje IDF-së lidhur me projektin e milicive, përfshirë mënyrën se si ushtria synon të parandalojë dëmtimin e civilëve. Sipas gazetës, IDF-ja e referoi çështjen te Shin Bet, ndërsa ky i fundit nuk dha përgjigje.

Sipas investigimit, e ardhmja e këtyre grupeve mbetet e lidhur me zhvillimet politike dhe ushtarake në Gaza, ndërsa përdorimi i tyre ka shkaktuar debate brenda strukturave izraelite të sigurisë.












Botërori 2026 
