Rekordmeni i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj është Presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës. 32-vjeçari ishte kandidati i vetëm për këtë detyrë, pasi rivali i tij, Taulant Stërmasi, ish-Presidenti i Federatës, u tërhoq nga gara.
Në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore ishin të pranishëm përfaqësues të KOKSH dhe zv.ministri i Sporteve, Endrit Hoxha. Izmir Smajlaj merr në këtë mënyrë një mandat 4-vjeçar për të drejtuar Federatën e Atletikës, duke kurorëzuar kështu eksperiencën e tij nga pista në zyrën e “mbretëreshës së sportit”.
Vendim që është respektuar dhe nga kampionia e atletikës, Luiza Gega. Përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale, ajo ka komentuar mbi zgjedhjen e Smajlaj, ndërsa ka shtuar se pavarësisht kandidaturës nuk u zgjodh anëtare e Kryesisë.
“Është punuar fort që të mos votohet për mua. Unë thjesht mbajta një fjalim prezantues, jo se nuk e dinë se kush jam, por që doja t’i shikoja në sy kur të vinte ky momenti. Thash dhe dy fjalë në fund që vërtetë unë nuk meritoj të jem pjesë sepse unë i bëj gjërat me shpirt, e dua këtë sport dhe duam të ecim para”, është shprehur Luiza Gega.
Në këtë Asamble u votua edhe për kryesinë e Federatës së Atletikës e cila do të përbëhet nga Vaso Selenica, Emiljana Ciko, Gledis Hallunaj, Oltion Luli, Zhuje Bajko dhe Vladimir Gjonaj.
Klan News