Rreziku i shpërthimit të një lufte mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të militantëve pro-iranianë në Liban është më i lartë se kurrë më parë që prej nisjes së luftës në Rripin e Gazës.

Rrezikun e shtoi vala e shpërthimeve në pajisjet elektronike të komunikimit të pjesëtarëve të këtij grupi, të martën dhe të mërkurën në mbarë Libanin, duke shkaktuar 32 viktima e rreth 3500 të plagosur. Ndonëse autoritetet izraelite nuk kanë bërë asnjë deklaratë lidhur me këto shpërthime, ministri izraelit i mbrojtjes Joav Galant shpalli fazën e re në luftën kundër Hezbollahut, pa sqaruar detaje.

Media të ndryshme ndërkombëtare hodhën dyshime të forta se pas valës së shpërthimeve të së martës në mijëra bipera të militantëve të Hezbollahut, fshihet Mosadi që dyshohet se u vendosi atyre sasi eksplozivi që në fazën e prodhimit në një fabrikë në Budapest, pasi ishin porositur nga Hezbollahu.

E paqartë ende është se si u shpërthyen pajisjet e komunikimit me radio “Uoki Toki” pasditen e të mërkurës. Kompania japoneze Icom tha se ka përfunduar së shituri këto pajisje që mbajnë markën e saj prej më shumë se 10 vitesh dhe se nuk kanë asnjë ide se si mund të jetë arritur kjo.

Tv Klan