Manastirliu: Po presin përgjigjen për vaksinat e Covax

Java e dytë e vaksinimit kundër Covid-19 ka nisur me stafin e Pediatrisë Infektive në QSUT dhe mjekët e spitalit Covid 3 e 4. Shefja e Shërbimit Pediatrik, Gjeorgjina Kuli e injektoi e para vaksinën. Procesi u monitorua nga Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila bëri dhe një bilanc të punës së deritanishme.

“Sot po vaksinohen 42 mjekë, infermierë të pavionit Covid të Pediatrisë dhe të spitaleve COVID. Përgjatë gjithë javës së shkuar, ku ne kemi filluar planin tonë të vaksinimit me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe një pjese të epidemiologëve të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe disa qyteteve përreth. Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.

Ministria theksoi se procesi do të intensifikohet dhe me ardhjen e vaksinave të tjera nga Covax.

“Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha Manastirliu.

Procesi i vaksinimit kundër Covid-19 në vendin tonë ka nisur më 11 Janar, si fillim me mjekët dhe infermierët e spitaleve Covid 1 dhe 2.

Tv Klan