Gjykata Kombëtare e Spanjës ka hapur zyrtarisht një hetim penal ndaj këngëtarit të njohur Julio Iglesias pas padisë së ngritur nga dy ish-punonjëse të tij për abuzim seksual, dhunë fizike dhe trajtim poshtërues.

Ky vendim u mor më 18 nëntor 2026 nga gjyqtari hetues Antonio Pina, duke shënuar një kthesë të rëndësishme ligjore pasi prokuroria spanjolle e kishte arkivuar çështjen në janar të këtij viti.

Gjykata ka pranuar të hetojë pretendimet për vepra penale kundër lirisë seksuale (përfshirë sulmin seksual), dëmtime trupore dhe trajtim degradues.

Nga ana tjetër, gjyqtari rrëzoi akuzat për trafikim të qenieve njerëzore dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve, duke argumentuar se nuk kishte mashtrim në procesin e punësimit të tyre.

Denoncimi u bë nga një punonjëse shtëpiake dhe një fizioterapiste, të cilat pretendojnë se kanë përjetuar abuzime dhe një mjedis kërcënues gjatë kohës që punonin në pronat e këngëtarit 83-vjeçar në Republikën Dominikane dhe Bahamas në vitin 2021.

Këngëtari i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si “absolutisht të rreme” dhe “një fyerje të rëndë”, ndërsa ka deklaruar se nuk ka abuzuar apo detyruar kurrë asnjë grua.

Ai ka ngritur gjithashtu padi për shpifje kundër mediave që publikuan fillimisht hetimin.

Klan News

/tvklan.al