Sezoni nuk ka përfunduar ende, por te Juventusi kanë nisur punën për ndryshimet që do të bëjnë në merkaton e verës.
Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” synojnë afrimin e një sulmuesi, pasi Dusan Vlahovic pritet të largohet, ndërsa e ardhmja e Kolo Muani nuk është e sigurt.
Sipas asaj që raporton “Il Giornale”, Juventusi ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e Victro Osimhen. Nigeriani është i huazuar te Galatasaray nga Napoli, me këta të fundit që kërkojnë rreth 80 milionë Euro për kartonin e tij.
Megjithatë për të arritur një transferim të Osimhen, Juventusi duhet të kualifikohet në Ligën e Kampioneve, pasi do të sillte të ardhura të kënaqshme.
Futbollisti 26-vjeçar e njeh mirë kampionatin italian, aty ku ka luajtur me Napolin për katër sezone, ku u aktivizua në 108 ndeshje dhe shënoi 65 gola. /tvklan.al