22 shtator 2026- Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ka nisur mbledhjen e kësaj të marte me debate, ku në fokus u vu pezullimin nga detyra të kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, në lidhje me dosjen e “AKSHI-t”.

Nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike, Ivi Kaso, tha se kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe sipas tij tregon rënien e shtetit shqiptar.

Ai konsideroi si ngjarjen më të rëndë të ndodhur në 36 vite të tranzicionit dhe demokracisë shqiptare.

“Desha të trajtoj një çështje me shumë rëndësi jo vetëm për komisionin tonë, për Parlamentin dhe për institucionet e shtetit shqiptar dhe për mirëfunksionimin e institucioneve. Unë besoj se kjo seancë e sotmja e komisionit tonë, por asnjë seancë e asnjë institucioni publik sot nuk mund të fillojë në mënyrë të zakonshëm, sepse ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, besoj  nga më të renda në këtë 36 vite të tranzicion dhe demokraci, sot është vërtetuar dhe certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar. Kjo është një gjë, që e them me dhimbje”, tha ai.

Kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, u shpreh se institucionet kanë detyrën e tyre kushtetuese dhe përgjegjësinë për të zbatuar ligjin. Ai theksoi se ajo që shohin sot shqiptarët ndodh rëndom në vendet me demokraci të konsoliduar.

Kjo sipas tij është një shenjë e forcimit të shtetit të së drejtës dhe tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve tona.

“Ju folët për institucionet, por çdo institucion ka detyrën dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet e drejtësisë penale kanë funksionet e tyre kushtetues dhe ligjit ndjekjen penale, ne këtu nuk kemi të njëjtën gjë. Ne kemi këtu detyrën tonë si ligjvënës, si përfaqësues të sovranit për të ushtruar procesin ligjvënës dhe kontrollin parlamentar. Institucionet arrestojnë, nuk arrestojnë individët.

 Institucionet bëjnë detyrën, institucioni përkatës ka bërë detyrën e tij konform ligjit dhe kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, shenjë e forcimit të shtetit të së drejtë, shenjë dhe tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve. Kjo që po shohim sot, është ajo që ndodh rëndom në botën normale, në vendet demokratike, në vendet ku vepron shteti i së drejtës. Këtë e shohim ne në shtetin kampion të demokracisë, në SHBA. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar dhe për një shtet të së drejtës”, tha Xhafaj.

Krahas pezullimit nga detyra, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën “arrest me burg” për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni.

Ajo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dy vepra penale, konkretisht për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Arrestime për dosjen “AKSHI-t”

Po në kuadër të dosjes së AKSHI-t më 26 gusht u arrestua Ergys Agasi në zonën e Plepave në Durrës. Në momentet e arrestimit, ishte në shoqërinë e ish-efektivit Uljan Shpataraku.  

Agasi është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Po për çështjen e AKSHI-t, u arrestua në Francë më 28 korrik edhe Ermal Beqiraj, që ndodhej në kërkim nga SPAK. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Beqiraj akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe është përmendur në hetimet që lidhen me këtë dosje.

Ndaj Beqirajt, SPAK ka sekuestruar 11 pasuri, kryesisht apartamente, truall, makina dhe mjete lundruese, subjekte si dhe llogari bankare.