Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përshpejtuar proceset e digjitalizimit, regjistrimit të pronave dhe formalizimit të të drejtave të pronësisë.
Në raportimin e saj në Komisionin Parlamentar, Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobeli theksoi se transformimi i Kadastrës në një sistem tërësisht digjital sjell shërbime më të shpejta për qytetarët.
Sipas të dhënave 54 milionë dokumente dhe 4.3 milionë kartela pronësie janë tashmë në format digjital. Sipas ASHK-së procesi do të vijojë më pas me digjitalizimin e mbi 39 mijë hartave kadastrale. Deri tani janë përpunuar mbi 23 mijë plansheta fizike në 1,209 zona kadastrale.
“Me përfundimin e këtij procesi, Shqipëria do të disponojë, për herë të parë, një Kadastër tërësisht digjitale”, u theksua gjatë raportimit. Ky transformim pritet të reduktojë varësinë nga dokumentacioni i vjetër në letër dhe të krijojë kushte për shërbime më të shpejta, më të sakta dhe me më pak ndërhyrje njerëzore”, thuhet në njoftim.
Sipas drejtoreshës së ASHK, një tjetër rezultat i rëndësishëm është regjistrimi fillestar i 95.6% të territorit të vendit dhe objektivi është që regjistrimi fillestar të përfundojë plotësisht brenda vitit 2027.
“Pavarësisht progresit të arritur, kemi ende shumë punë për të bërë. Synimi ynë është një standard i njëjtë shërbimi për çdo qytetar, më shumë transparencë dhe një Kadastër moderne që i përgjigjet më shpejt nevojave të tyre”, ishte mesazhi i Drejtoreshës së Përgjithshme në përfundim të raportimit.
Për të përshpejtuar formalizimin e banesave, ASHK ka nisur edhe aksionin “Kadastra derë më derë”.
Vetëm në më pak se dy muaj, ekipet në terren kanë evidentuar rreth 1,500 banesa në 44 zona të vendit dhe kanë emetuar 298 vendime përfundimtare.
Procesi u jep mundësi qytetarëve të informohen online për ecurinë e praktikës së tyre dhe dokumentacionin që mund të nevojitet.
/tvklan.al












Botërori 2026 