Detyrat shtëpiake vazhdojnë t’i mbajnë gratë ende jashtë tregut të punës. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT rreth 15% e grave dhe 0.7% e burrave ndër personat ekonomikisht joaktivë të moshës 15 vjeç e lart kanë deklaruar punët e shtëpisë si angazhimin e tyre kryesor.
“Tregu i punës humbet shumë jo vetëm nga puna e papaguar, por nga mijëra gra që mund të kontribuonin shumë në tregun e punës. Do të duhet të merren politika dhe programe të posaçme, që të kenë mundësinë të dalin nga ambienti i shtëpisë me orare të reduktuara”, tha eksperti i punësimit Erion Muça.
Përqindja më e lartë e grave dhe vajzave që nuk përfshihen në tregun e punës është në zonat periferike dhe rurale.
“Kanë një mënyrë të operuari një mentalitet të ndryshëm nga zona urbane. Gruas i duhet të qëndrojë në banesë, kujdesin për punët e shtëpisë, që në orë pune janë shumë më të zgjatura por të papaguara”, tha sociologia Iris Dhamo.
Një grua që nuk siguron të ardhurat e saj sjell mbi të gjitha mungesë të pavarësisë ekonomike dhe kjo lidhet më pas me një sërë faktorësh socialë.
“Kjo bën që shumë gra të jenë të ndrydhuara dhe kokëulura sepse kanë varësi financiare nga bashkëshortët”, tha Muça.
“Një grua që nuk ka para mjaftueshëm nuk mund të jetë pjesë aktive e një jete socale. Nuk mund të plotësojë nevojat personale. Rëndohet situata kur kemi të bëjmë me familje me probleme të ndryshme dhe kur evidentohen edhe rastet e dhunës”, tha Dhamo.
Për ekspertët të dhënat tregojnë ende pabarazi gjinore në shoqëri, ndërsa rekomandojnë hartimin e politikave të ndryshme për të përfshirë më shumë grate në tregun e punës.
/tvklan.al












Botërori 2026 