Në Ngushticën e Hormuzit ka nisur kalimi i lirë i anijeve tregtare, pas heqjes me marrëveshje të bllokadës detare nga SHBA dhe Irani. Kjo ka ndikuar në uljen e çmimit të naftës së papërpunuar në bursa, që sipas ekspertëve nuk do të jetë më si para konfliktit.
Të paktën 25 anije tregtare kanë kaluar që prej të enjtes Ngushticën e Hormuzit, pasi amerikanët dhe iranianët hoqën bllokadën sipas marrëveshjes së nënshkruar në distancë nga dy presidentët në të njëjtën ditë.
Pritet që fillimisht, po aq të kalojnë çdo ditë, teksa të bllokuara besohet se në total mbeten deri në 870 anije, ndër të cilat 160 cisterna me naftë për eksport. Lirimi i kalimit e ka ulur naftën e papërpunuar në kuotat e 75-80 dollarëve për fuçi në bursat botërore. Ekspertët presin që çmimi të mos qëndrojë kaq dhe as të bjerë në mesataren e para 28 shkurtit, kur nisën sulmet amerikano-izraelite që nxitën Iranin të mbyllë kalimin në Ngushticë.
Sipas një analize të publikuar në të përditshmen britanike The Guardian, çmimi i naftës së papërpunuar në bursa mund të qëndrojë rreth këtyre kuotave gjatë 60 ditëve të lëvizjes së lirë, kur Uashingtoni dhe Teherani pritet të negociojnë një marrëveshje përfundimtare. Irani synon ngritjen e një strukture menaxhimi të përbashkët me Omanin dhe vendet e tjera të Gjirit për qarkullimin detar në Hormuz, e cila do të mbledhë tarifa kalimi për anijet, çka sipas ekspertëve do të ndikojë në rritjen e çmimit standard të naftës së papërpunuar.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 