Policia boliviane ka sekuestruar 86 kilogramë marijuanë në një autobus të marrë me qira për transportin e delegacionit të skuadrës së Sao Paulos, vetëm pak orë përpara përballjes me Bolivarin në  Kupën Sudamerikane.

Ngjarja shkaktoi një situatë të pazakontë, duke detyruar ekipin të ndryshonte mjetin e transportit gjatë rrugës drejt La Pazit.

Sipas raportimeve të mediave lokale, autobusi i kontraktuar nga kompania e transportit Cosmos u ndalua nga autoritetet pranë qytetit të Cochabambas, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 86 kilogramë marijuanë.

Në momentin e kontrollit, futbollistët dhe stafi i Sao Paulos nuk ndodheshin në autobus, pasi ata kishin mbërritur fillimisht me avion në Santa Cruz de la Sierra dhe po prisnin që të vazhdonin udhëtimin drejt La Pazit me këtë automjet.

Pas sekuestrimit të autobusit, kompania e transportit reagoi menjëherë duke vënë në dispozicion një mjet tjetër, çka bëri të mundur që udhëtimi i ekipit të vazhdonte pa vonesa.

Ndeshja e parë mes Bolivarit dhe Sao Paulos përfundoi në barazim 1-1, ndërsa incidenti me autobusin tërhoqi vëmendjen e mediave në Amerikën e Jugut. 

Autoritetet boliviane kanë nisur hetimet për të zbuluar origjinën e lëndës narkotike dhe personat përgjegjës, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë indicie që lidh futbollistët apo klubin brazilian me këtë rast.

Klan News

/tvklan.al