Ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë, Enea Karakaçi ka paralajmëruar këtë të premte, më 22 maj, se nuk do të tolerohet situata e krijuar nga konflikti mes 2 kompanive koncensionare, që ka bllokuar punën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Karakaçi tha se e ka ndjekur konfliktin me vëmendje dhe e ka shikuar me shqetësim sjelljen e deritanishme të palëve.
“Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës me vëmendje të plotë dhe rigorozitet institucional. Ministria ka siguruar që të gjitha proceset të jenë në përputhje me kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar. Të drejtat e të gjitha palëve janë respektuar në mënyrë të plotë.
Megjithatë, ministria vëren me shqetësim të thellë se sjellja e deritanishme e palëve zhvilluese, bllokimi fizik i kantierit, konfliktet gjyqësore mes koncensionarëve dhe shkeljet kontraktore kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të garantuar respektimin e detyrimeve kontraktore.
Konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës duhet të kuptohet se është, në thelb, një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private”, tha Karakaçi i cili më tej paralajmëroi se mund të ketë edhe penalitete.
“Sa i përket aeroportit të Vlorës, siç unë e referova, aeroporti nuk është operacional. Kur flasim për operacionalitet, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e veprës civile, por edhe për marrjen e të gjitha certifikatave për bërjen publik të aktivitetit ajror. Kjo nuk ka ndodhur! Në bazë të kontratës, këto duhej të kishin ndodhur. Penaliteti do t’u vendoset subjekteve tregtare. Mosmarrëveshja që ju keni parë gjithë këtë kohë është një mosmarrëveshje private mes 2 shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë. Po bëhet shkak për vonesa të mëtejshme dhe për prishjen e reputacionit të aeroportit të Vlorës”, deklaroi më tej ministri, i cili shtoi se zhvillimet e fundit janë të papëlqyeshme së pari për qytetarët shqiptarë, por edhe për shtetin.
Sipas tij, çdo ditë vonese shkakton humbje ekonomike për operatorët turistikë dhe se kjo situatë shkakton prishje të imazhit ndërkombëtar.
“Në 2027-ën do të kemi vijën e parë hekurudhore funksionale në Shqipëri“
Mes të tjerash, ministri Karakaçi u ndal tek projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës, ku sipas tij shinat kryesore kanë përfunduar.
Karakaçi pranoi se ka pasur vonesa, sepse kur është marrë kredia e parë projekti ka qenë i paplotë, megjithatë shtoi se në vitin 2027 do të kemi vijën e parë funksionale hekurudhore në vend.
“Hekurudha Shqiptare, pasi e ka maturuar projektin me bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tashmë ka nisur procedurën për mbylljen e katër kilometrave të fundit, për ta sjellë hekurudhën në pikën e vet ku ka qenë gjithmonë te Stacioni i Trenit në Tiranë. Në këtë kuptim unë vlerësoj se viti 2027 është i arritshëm, por do të stepesha për të dhënë një afat fundor, sepse një pjesë e projektit është në fazën e prokurimit publik. Në këtë fazë gjërat mund të shkojnë mirë, por mund të ketë edhe ndonjë vonesë. Megjithatë, patjetër që në vitin 2027 do të kemi vijën e parë hekurudhore funksionale në Shqipëri”, tha ministri.
“Rruga Milot-Balldren do të bëhet! Në qershor shpallet fituesi”
Një tjetër çështje për të cilën foli ministri Karakaçi ishte projekti për Rrugën Milot-Balldren.
“Kam nevojë të ritheksoj vendimmarrjen shumë të rëndësishme që mori dje Kuvendi shqiptar për ‘Portën e Alpeve’. Nënkupton angazhimin e madh që ka qeveria shqiptare për veriun e Shqipërisë. Investime infrastrukturore në Bashkinë Shkodër, Malësi e Madhe, Velipojë e Adriatik… Një masë investimi që nuk e ka pasur deri më tani asnjë qark tjetër në Shqipëri, që nënkupton shumë qartë misionin dhe vizionin për qarkun e Shkodrës. Problematika që ngrihet në këtë qark është rruga Milot-Balldren”, tha Karakaçi, i cili pranoi se ky projekt ka kaluar në një sërë fazash të pasuksesshme.
Megjithatë ai shtoi se komisioni është në fazën përmbyllëse “dhe brenda fundit të majit e fillimit të qershorit do të shpallim një fitues. Po, rruga Milot-Balldren do të bëhet!”
Një tjetër çështje për të cilën u pyet ministri Karakaçi ishte edhe çështja e punimeve në autostradën Tiranë-Durrës dhe problematikave me trafikun e rënduar të automjeteve.
“Sa i përket autostradës Tiranë-Durrës, po ne i hapëm korsitë le të themi në drejtim të Rinasit e Tiranës kur vjen nga Durrësi që ishin 6 kilometrat e parë. Unë e di që hinka krijohet përsëri. Unë si çdo qytetar tjetër kaloj në atë rrugë. Është përsëri trafik, por është më shumë i liruar se më parë. E dimë që është hinka që krijohet në mbikalimin e Rinasit, por ne kemi kontratën në fuqi dhe vazhdojnë punimet pas mbikalimit të Rinasit. Do të krijohet mbikalimi i ri me 4 korsi dhe vazhdimi i kilometrave të korsive shtesë.”, tha Karakaçi, i cili shtoi se momentalisht autostrada do të vijojë të jetë pa pagesë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
