Skandal me mbetjet urbane në Vlorë. Vendgrumbullimi i plehrave ka shpërthyer në flakë mëngjesin e të premtes dhe tymi ka mbuluar të gjithë qytetin bregdetar, ku aktualisht pushojnë mijëra turistë, shqiptarë e të huaj.

Siç e shihni në këto pamje, shtëllungat e tymit janë përhapur mbi qytet dhe në plazhet e Vlorës, ku pushuesit janë detyruar të largohen. Bashkia e Vlorës ka angazhuar mjete në terren, teksa kryetari i saj thotë se dyshohet që zjarrvënia është e qëllimshme.

Ermal Dredha: Është e padiskutushme që kjo është dorë njeriu, nuk mund të them që është e qellimshme apo jo, por këtu është e pamundur të ndizet vetë sepse kemi patur temperatura edhe me të larta. I kërkojmë Policisë së Shtetit të marrë masa dhe të identifikojë autorin.

Ky skandal është një kronikë e paralajmëruar. Ka ndodhur kështu edhe një vit më parë.

Zgjidhja e problemit të plehrave në Vlorë rezulton se është mbajtur peng nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kjo ministri duhet të kishte miratuar kuadrin ligjor që në muajin Nëntor të vitit 2023 në mënyrë që të mundësonte operimin e landfillisht të Sherishtës, që do t’i jepte zgjidhje problemit të mbetjeve. Siç e shihni nga pamjet, landfilli i Sherishtës ka përfunduar.

Ne Nëntor 2023 u ndryshua kuardi ligjor për t’i transferuar përgjegjësitë për mbetjet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ky ndryshim çoi në nevojën për të ndryshuar marrëveshjet e financimit për projektin. Pa këto marrëveshje, KFW nuk miraton as financimin e supervizorit dhe as përfundimin e pjesës të mbetur të punimeve në landfillin e Sherishtës. Po kanë kaluar 8 muaj dhe dokumentacioni ka kaluar në Këshillin e Ministave vetëm këtë javë, siç pohon kryetari i Bashkisë së Vlorës.

Ermal Dredha: Jemi duke punuar përditë me handikapin ligjor që është krijuar në Sherishtë. Lajmi i mireë është që para 2 ditësh ka kaluar në Këshillin e Ministrave, një vendim, i cili na hap rrugë që shumë shpejt, t’i kalojë bashkisë si kompetencë menaxhimi dhe ta përfundojmë. Dhe që shumë shpejt, Sherishtja të vendoste në funksion të qytetit dhe të shpetojme nga kjo zonë.

8 muaj për një VKM, e cila, nëse do të ishte miratuar në kohë do ta kishte evituar këtë katastrofë mjedisore dhe këtë pamje skandaloze, që përbën reklamën më të keqe të Shqipërisë turistike dhe ka vënë në vështirësi të gjithë qytetin bregdetar dhe autoritetet vendore.

Ermal Dredha: Nuk mund ta ndalojmë një zjarr të këtyre përmasave në 1 orë. Jemi jashtë kapaciteteve.

Zgjidhja është vonuar edhe nga Ministria e Financave, pjesë e ndryshimit të kuadrit ligjor për të vënë në punë landfillin e Sherishtes. Miratimi në kohë i kuadrit ligjor do t’i kishte dhene zgjidhte prej muajsh edhe katastrofën tjetër mjedisore me plehrat e Orikumit.

Këto plehra hidhen anës rrugës kombëtare që të çon në perlën e bregdetit shqiptar dhe që fatkeqësisht ky vendgrumbullim amator i plehrave, e prezanton tmerrësisht shëmtuar këtë mrekulli të bregut të jugut.

Ajo që shohim sot në këto pamje, nuk është gjë tjetër veçse një dështim i Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe Ministrisë së Financave, përgjegjëse për katastrofën mjedisore që po përjeton Vlora për anti-reklamën më të madhe që mund t’i bëhet Shqipërisë turistike.

Tv Klan