Gjashtë ndeshjet e javës së fundit në Kategorinë e Parë, do të luhen të Dielën, duke nisur nga ora 15:00.
Skuadra e Vorës e ka siguruar tashmë ngjitjen në elitë për sezonin e ardhshëm, ndërkohë që kjo javë do të jetë vendimtare për përcaktimin e ekipit të dytë që do të ngjitet automatikisht në elitë, si edhe për katër skuadrat që do të marrin pjesë në fazën play-off.
Flamurtari, që aktualisht renditet në vendin e dytë me 72 pikë, do të luajë në transfertë ndaj Vorës kampione. Një fitore ndaj Vorës do t’i siguronte vlonjatëve kalimin automatik në elitë për edicionin e ardhshëm. Sakaq, edhe Besa e Kavajës luan një sfidë shumë të rëndësishme kundër Valbonës. Kavajasit renditen të tretët me 71 pikë në kampionat, një më pak se Flamurtari. Për Besën, vetëm tre pikët mbajnë shpresat gjallë për ngjitje direkte, në pritje të një hapi fals nga Flamurtari.
Ndërkohë, takimi mes Apolonisë dhe Lushnjës do të përcaktojë skuadrën e katërt që do të ketë të drejtën të luajë ndeshjen e “play-out”-it kundër vendit të tetë të Superiores, për të siguruar një vend në elitë për sezonin e ardhshëm.
Sakaq, në takimet e tjera të javës Erzeni do të përballet me Kastriotin, Kukësi do të luajë ndaj Burrelit ndërsa Korabi do të presë në shtëpi ekipin e Pogradecit.
Java e 33-të:
Apolonia – Lushnja, 20.04.2025 15:00
Erzeni – Kastrioti, 20.04.2025 15:00
Vora – Flamurtari, 20.04.2025 15:00
Kukësi – Burreli, 20.04.2025 15:00
Korabi – Pogradeci, 20.04.2025 15:00
Valbona – Besa, 20.04.2025 15:00
/tvklan.al